Walker: Në bankën e të akuzuarve në Hagë do duhej të ishte ish-ministri i propagandës në kohën e Millosheviqit, Aleksandar Vuçiq

  • E.K /
  • 18 August 2023 - 08:05
 Walker: Në bankën e të akuzuarve në Hagë do duhej të ishte ish-ministri i propagandës në kohën e Millosheviqit, Aleksandar Vuçiq

Ish-shefi i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, masat ndëshkuese apo sanksionet ndaj Kosovës janë të padrejta, përcjell “Kosova Sot Online”.

Madje, për diplomatin amerikan është e pazakonshme që një vendi demokratik siç është Kosova t’i vihen sanksione nga BE-ja dhe SHBA.

“Konsideroj që masat ndëshkuese apo sanksionet, sido që t’i quani ato, janë të padrejta ndaj Kosovës. Masa ndëshkuese u vihen atyre shteteve që i shkelin ligjet ndërkombëtare, siç është rasti me Rusinë. Nuk është normale që BE-ja dhe SHBA-të ta sanksionojnë një vend demokratik siç është Kosova. Kjo është me të vërtetë diçka e pazakonshme”, tha Walker.

Walker shprehet pesimist për të ardhmen e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Për çfarë dialogu jemi duke folur? Krerët shtetërorë serbë e kanë bërë të qartë se nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Si mund të jesh optimist për të ardhmen e dialogut kur Serbia nuk është e gatshme të ndryshoj. Tani shikoni se çfarë qasje destruktive ka Serbia, ndërsa Perëndimi i bënë presionin vendit më demokratik në rajon”, u shpreh Ëalker.

Walker i ka disa fjalë edhe për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

“Po ta kishim një situatë normale, sot në bankën e të akuzuarve në Hagë do duhej të ishte ish-ministri i propagandës në kohën e Millosheviqit, Aleksandar Vuçiq, e jo Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi e Kadri Veseli. Të gjithë e dimë se çfarë roli ka pasur gjatë viteve të 90-ta Aleksandër Vuçiqi, dhe sot imagjinoni ai është President i Serbisë dhe për më tepër respektohet nga partnerët ndërkombëtar. Këtu e keni vetëm një shembull se sa shumë ka ndryshuar komuniteti ndërkombëtar në raport me Kosovën”, tha Walker.

(Kosova Sot Online)