Rashiq: Ndoshta nuk ka asnjë serb të Kosovës që të paktën një herë personalisht të mos i ketë ndjerë kërcënimet e egra

  • E.K /
  • 18 August 2023 - 13:03
Rashiq: Ndoshta nuk ka asnjë serb të Kosovës që të paktën një herë personalisht të mos i ketë ndjerë kërcënimet e egra

Ministri për Komunitete dhe kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka reaguar pasi që tre policë të rinj nga radhët e komunitetit serb kanë dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës, një muaj pasi e kanë marr detyrën, përcjell “Kosova Sot Online”.

Sipas tij nuk ka asnjë serb të Kosovës që s’i ka ndjerë kërcënimet siç shprehet ai të “egra” të paktën njëherë.

“Fatkeqësisht, ndoshta nuk ka asnjë serb të Kosovës që të paktën një herë personalisht të mos i ketë ndjerë kërcënimet e egra nga ‘forca e padukshme malore’ që shkatërron çdo vepër dhe çdo dëshirë për bashkëjetesë në Kosovën tonë të bukur me metodat e saj shkatërruese. Në 11 vjetët e fundit të mbijetesës dhe qëndrimit tonë këtu i janë bërë dëme të pariparueshme dhe sigurisht që nuk mbaron me kaq, na thonë se do të ‘luftojnë’ deri në serbin e fundit kosovar”, thuhet në reagimin e ministrit Rashiq.

“Nga sot, dua t’ju premtoj se do të jem me ju me të gjithë kapacitetin tim personal dhe institucional. Dera ime do të jetë e hapur për të gjithë ju. Unë personalisht, si dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, vihemi në dispozicionin tuaj, për të ju ndihmuar në çdo mënyrë të mundshme që të ngadhënjejmë mbi frikën, sfidat, e dyshimet tona…”, thuhet në reagimin e Rashiqit.

(Kosova Sot Online)