Ambasadorja shqiptare në SHBA: Kur iku Engel ishin 3 kongresmenë, tani janë 24 që punojnë për ne dhe Kosovën

  • E.K /
  • 24 August 2023 - 14:23
Ambasadorja shqiptare në SHBA: Kur iku Engel ishin 3 kongresmenë, tani janë 24 që punojnë për ne dhe Kosovën

Ambasadorja e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, Floreta Faber, e cila ka përfaqësuar shtetin e saj në Washington për tetë vite, në një intervistë në fund të misionit të saj, ka folur edhe për bashkëpunimin me Kongresin amerikan.

Faber ka thënë se kur kongresmeni Eliot Engel ishte larguar, kanë qenë vetëm tre anëtarë të kongresit që merreshin dhe punonin drejtpërdrejtë me çështjet shqiptare dhe me Kosovën, derisa shton se ky numër ka shkuar në 24, gjë për të cilën thotë se është e kënaqur.

Ajo ka treguar se si pas largimit të Engel, ishte fokusuar për zgjerimin e gurpit të kongresmenëve që merren me çështjen shqiptare.

“Në fakt kjo është edhe do thoja një nga realizimet më të mira që ne kemi patur drejtpërdrejt gjatë këtyre viteve të punës në Uashington.Për herë të parë në Senatin amerikan në vitin 2016 kemi ngritur një kaukus të çështjeve shqiptare dhe mund të përmend që në Senat ka më pak se sa 10 vende që kanë një kaukus (grup interesi me anëtarë të Kongresit dhe/ ose senatorë për mbështjetjen e marrëdhënieve me një vend të caktuar) të fokusuar për çështjet e një vendi të caktuar.

Kurse në Kongresin amerikan kam punuar që në fillimet e mia shumë ngushtë me kongresmenin Eliot Engel dhe me grupin shqiptar në Kongres. Por në momentin e largimit të tij ne menduam që të punojmë shumë ngushtë për zgjerimin e këtij grupi dhe patjetër kjo është një punë që duhet t’i shërbejë në vazhdimësi marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, dhe menduan të punojmë shumë afër sidomos me diasporën shqiptare për zgjerimin e këtij grupi.

Kur kongresmeni Engel u largua kishim tre anëtarë dhe tashmë jam e kënaqur që kemi 24 dhe jam e bindur që do shtohet numri i anëtarëve të Kongresit të cilët punojnë drejpërdrejt me çështjet shqiptare, me gjithë shqiptarët në Shqipëri, në Kosovë, në rajon dhe janë të njohur me zhvillimet në Shqipëri, bëjnë takime të herëpashershme me gjithë delegacionet që vijnë në Uashington”, ka thënë ajo për VOA.

(Kosova Sot Online)