Kadiu tregon se a do të lëvizin qytetarët pa viza nga 1 janari 2024!

  • A.P /
  • 29 August 2023 - 18:30
Kadiu tregon se a do të lëvizin qytetarët pa viza nga 1 janari 2024!

Pas paralajmërimeve të akterëve opozitarë për heqjen e liberalizimit të vizave dhe pas deklarëtës së presidentit francez Macron se politika e vizave mund të rishikohet “nëse Kosova e Serbia nuk sillen me përgjegjësi, ka reaguar Klisman Kadiu, këshiltar i zv/kryeministrit Besnik Bislimi, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kadiu e ka quajtur paradoksal shqetësimin e opozitës.

“Një brengë e vështirë për t’u besuar, duke qenë se vjen nga ata që e lanë këtë proces të bllokuar, që veç premtonin e ama nuk realizonin gjë. Koha na ka treguar që në lidhje me këtë proces, ia kanë huqur çdo deklarate apo parashikimi që e kanë bërë”, ka shkruar ai.

Tutje Kadiu ka shtuar se liberalizimi fillon nga 1 janari dhe meritat për zhbllokimin e procesit i ka Qeveria Kurti.

“Ajo që është faktike është kjo: Procesi i liberalizimit të vizave u zhbllokua nga Qeveria Kurti, përmes punës intensive diplomatikisht e argumenteve e raporteve në bindjen e vendeve që ishin skeptike për të votuar pro dhe arritur konsensusin. Vendimi u nënshkrua me 19 prill, e tashmë ka hyrë në fuqi. Qytetarët e Kosovës do lëvizin pa viza nga 1 janari 2024”, ka shkruar Kadiu.

(Kosova Sot Online)