Hoti: Shtetin e Kosovës e ruajt Zoti se zot shtëpia s’ka

  • A.P /
  • 30 August 2023 - 16:32
Hoti: Shtetin e Kosovës e ruajt Zoti se zot shtëpia s’ka

Pasi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi se pezullimi i vendimit për heqje të vizave për qytetarët e Kosovës nga 1 janari i vitit 2024, do ta vriste dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si reagim ndaj qëndrimit të Presidentit të Francës, Emanuel Macron, ka reaguar deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Macron tha se vendi i tij do t’i rishikojë zotimet që i ka bërë për çështje ekonomike dhe politika të vizave për Kosovën dhe Serbinë, nëse ato nuk sillen me përgjegjësi.

Në reagimin e tij, Hoti ka thënë se Kosova aktualisht është pa “zot shtëpie”.

“Dialogun e zhvillojnë skutave, hoteleve të plazheve e në darka private. Arrijnë marrëveshje të përkohshme në villën e Titos në Ohër, ku marrin obligime për autonomi për serbët dhe zbatim të asociacionit, të cilin e kishin kundërshtuar dhunshëm, në këmbim të disa obligimeve gjysmake, abstrakte e të paverifikueshme që pala serbe duhet të përmbushë.
E tash ankohen e “kërcënojnë” aleatët pse ata po i kushtëzojnë proceset euro-integruese të Kosovës me respektim të kësaj marrëveshje. Shtetin e Kosovës e ruajt Zoti, se zot shtëpie nuk ka momentalisht!”, ka shkruar Hoti.

(Kosova Sot Online)