Amnesty International: Për viktimat e dhunës në familje në Kosovë mungon trajtimi i duhur

  • A.P /
  • 31 August 2023 - 20:30
Amnesty International: Për viktimat e dhunës në familje në Kosovë mungon trajtimi i duhur

Një raport i publikuar të enjten nga organizata për të drejtat e njeriut Amnesty International, tregon se të mbijetuarit e dhunës në familje në Kosovë, që në të shumtën e rasteve janë vajza dhe gra, përballen me pasiguri dhe mungesë të mbështetjes në përpjekjet e tyre për t’iu larguar situatave abuzive.

Të mbijetuarat e dhunës në familje të anketuara nga Amnesty International thanë se përgjigja e shtetit është e pamjaftueshme për t’i mbështetur ato të jetojnë të pavarura, duke i detyruar shumë prej tyre të rikthehen te abuzuesi.

Rina Kika, autore e raportit tha për Zërin e Amerikës se reagimi i shtetit ndaj dhunës në familje nuk është mjaftueshëm i përqendruar tek të mbijetuarat.

Një prej gjetjeve kryesore te raportit tonë është që shteti i Kosovës e ka përgjigjen shumë të përqendruar në drejtësinë penale dhe madje as kjo përgjigje nuk është adekuate sa i takon rasteve të dhunës në familje. Ndërkaq shumë pak po bëhet që të mundësohet që një person i cili përjeton dhunë në familje, të mund të jetojnë të pavarura dhe të kenë një mbështetje sociale prej shtetit sa i përket strehimit, punësimit dhe aftësimit të tyre dhe ta jetojnë një jetë pa dhunë”, tha Kika.

(Kosova Sot Online)