MASHTI del me njoftim: Në 18 institucione s’filloi mësimi

  • A.P /
  • 01 September 2023 - 22:25
MASHTI del me njoftim: Në 18 institucione s’filloi mësimi

Lidhur me vitin e ri shkollor 2023/2024, që nisi sot, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka dalë me një njoftim, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

MASHTI thotë se në bazë të informatave të pranuara nga komunat, gjatë ditës së sotme, procesi edukativo-arsimor ka filluar në 658 institucione, ndërsa nuk ka filluar në 18 institucione arsimore që janë në proces të renovimit.

Mirëpo, MASHTI thotë se këto 18 institucione do të nisin mësimin pasi më 4 shtator pritet të përfundojnë punimet.

“Në bazë të informatave të pranuara nga komunat, gjatë ditës së sotme, procesi edukativo-arsimor ka filluar në 658 institucione, ashtu siç është përcaktuar me Udhëzimin Administrativ për Kalendarin e vitit Shkollor 2023-2024. Sipas raportimeve të komunave, procesi mësimor nuk ka filluar në tetëmbëdhjetë (18) institucione arsimore të cilat kanë qenë në proces të renovimit. Në shumicën prej këtyre institucioneve punimet do të përfundojnë deri më 4 shtator dhe do të nis procesi i rregullt mësimor.”

Ndërkaq, sa i përket pagesës për furnizim me tekste shkollore, MASHTI njofton se për të gjithë ata që kanë aplikuar deri më 29 gusht në ora 16:00, ekzekutimi i mjeteve ka përfunduar të enjten.

“Fillimisht janë ekzekutuar 30 euro për materiale mësimore e më pas 50 euro për tekste shkollore.”

Ndërsa, nga sot ka vazhduar ekzekutimi i mjeteve për ata që kanë aplikuar pas datës 29 gusht.

Aplikimi për subvencionim do të jetë i hapur deri në fund të shtatorit.

“Sikurse kemi njoftuar edhe më herët, aplikimi do të jetë i hapur gjatë gjithë muajit shtator në mënyrë që të sigurohemi që asnjë nxënës për çfarëdo arsye të mos mbetet pa tekste shkollore.  Çdo rast i adresuar do të trajtohet me prioritet dhe do të ofrohet ndihma e nevojshme për aplikim dhe përfitim të këtyre mjeteve.”

(Kosova Sot Online)