Oda Amerikane në Kosovë: Të hiqen urgjentisht masat që kufizojnë importet nga Serbia

  • E.K /
  • 05 September 2023 - 10:18
Oda Amerikane në Kosovë: Të hiqen urgjentisht masat që kufizojnë importet nga Serbia

Oda Amerikane në Kosovë ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës rishqyrtimin e masave që kufizojnë importet nga Serbia, përcjell “Kosova Sot Online”.

OAK vlerëson se me këtë vendim po pengohen “interesat komerciale ndërkombëtare, përmes kufizimit të qarkullimit të mallrave nga markat e njohura botërore”.

“Të dhënat zbulojnë një realitet të zymtë; importet e lidhura me kompanitë amerikane po pakësohen me një ritëm alarmues. Për më tepër, çdo pengesë për tregtinë, si ky ndalim, ka ndikuar pashmangshëm në rritjen e çmimeve të konsumit, duke rënduar më tej buxhetet e familjeve të Kosovës. Aq më tepër, në rrethana kur Kosova tashmë ka hequr ndalesën për importin e lëndëve të para dhe produkteve gjysmëfinale nga Serbia, është e pakuptimtë dhe ironike që të mbahet në fuqi masa e cila ndalon importin e malrrave që përbëjnë interesa komerciale ndërkombëtare”, thuhet në deklaratë.

Oda Amerikane ka thënë se normalizimi ekonomik Kosovë-Serbi “kapërcen interesat bilaterale”.

Qeveria pati vendosur t’i ndalë importet nga Serbia si masë ekonomike pas kidnapimit të tre policëve të Kosovës, brenda territorit të vendit, nga forcat serbe para disa muajsh.

(Kosova Sot Online)