Blinken nuk pyet për ofensivën e sulmeve ruse, e viziton Kievin

  • S.A /
  • 06 September 2023 - 12:14
Blinken nuk pyet për ofensivën e  sulmeve ruse, e  viziton Kievin

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka arritur në Kiev në një vizitë të paplanifikuar, transmeton Kosova Sot Online ".

Kryediplomati amerikan arriti në Kiev, disa orë pasi kryeqyteti ukrainas u shënjestrua nga sulmet ruse me raketa.

Departamenti amerikan i Shtetit nuk ka lëshuar asnjë deklaratë lidhur me qëllimin e vizitës së Blinkenit, por kjo vizitë vjen disa ditë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, shkarkoi ministrin e Mbrojtjes dhe disa zyrtarë të tjerë pas shqetësimeve për përfshirje në korrupsion për prokurimin e pajisjeve ushtarake.

Një zyrtar i paidentifikuar amerikan i tha Associated Press dhe CNN se vizita e Blinkenit ka për qëllim vlerësimin e kundërofensivës tremujore ukrainase dhe sinjalizon vazhdimin e mbështetjes amerikane për Kievin.

Zyrtarët thanë se Blinkeni po ashtu do të njoftojë për një pako të re të ndihmës, në vlerë prej 175 deri në 200 milionë dollarësh. Kjo ndihmë vjen një javë pasi Uashingtoni kishte njoftuar për një pako të ndihmës për Ukrainën.

Që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar, SHBA-ja i ka dërguar ndihmë ushtarake Ukrainës në vlerë prej mbi 43 miliardë dollarësh.

Ukraina në qershor ka nisur kundërofensivën ndaj forcave ruse në jug dhe lindje të vendit. Pavarësisht se kundërofensiva po zhvillohet më ngadalë seç pritej, SHBA-ja tha javën e kaluar se forcat ukrainase kanë bërë përparim të dukshëm në rajonin lindor të Zaporizhjës.

Kjo është vizita e katërt që Blinken realizon në Ukrainë që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të këtij shteti shkurtin e vitit të kaluar. Herën e fundit, ai kishte vizituar Ukrainën në shtatorin e vitit 2022.

Para vizitës, Rusia sërish shënjestroi kryeqytetin ukrainas me raketa lundruese. Përmes një postimi në Telegram, Serhiy Popko, kreu i administratës ushtarake në Kiev, tha se mbrojtja ajrore ka rrëzuar raketat. Autoritetet lokale nuk raportuan për viktima apo dëme nga sulmet në kryeqytetin ukrainas.

Në Izmail, në jugperëndim të Odesës, të paktën një person është vrarë pas sulmeve me dronë.

Porti që gjendet në Izmail – prej ku po eksportohen produktet bujqësore – po ashtu ka pësuar dëme, thanë autoritetet.

Izmaili gjendet në kufi me Rumaninë – shtet anëtar të NATO-s – dhe është shndërruar në rrugë kryesore për raportimin e drithërave dhe produkteve të tjera bujqësore të Ukrainës, pasi Rusia në korrik u tërhoq nga marrëveshja për drithërat.

Marrëveshja – që u ndërmjetësua nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara – mundësonte eksportin e sigurt të drithërave ukrainase përmes Detit të Zi.

Që nga tërheqja nga marrëveshja, Rusia ka intensifikuar sulmet në rajonet e Odeëss dhe Milkolajivit, teksa po vazhdojnë përpjekjet për ringjalljen e marrëveshjes.

Gjatë vizitës në Ukrainë, Blinken pritet të diskutojë me zyrtarë për rrugët alternative për eksportimin e drithërave ukrainase.

(Kosova Sot Online )