Ja kush është “Brigada e Veriut”, organizata terroriste që po kërcënon zyrtarët e shtetit të Kosovës

  • S.A /
  • 06 September 2023 - 12:29
Ja kush është “Brigada e Veriut”, organizata terroriste që po kërcënon zyrtarët e shtetit të Kosovës

Brigada e Veriut” është një tjetër grup i dyshuar kriminal serb që ka dalë në pah para një kohe.Me shkrimin e grafiteve nëpër pjesë të ndryshme të veriut, ata kanë konfirmuar prezencën e tyre në zonat veriore, transmeton "Kosova Sot Online ".

Kjo brigadë është vetëm grupi i radhës kriminal në veri ndër vite pas “Rojeve të Urës”, “Mbrojtjes Civile”, e “Mjekroshat”.

“Mos u shqetësoni! Ne jemi këtu! Po presim!” Në mesin e muajit gusht të vitit të kaluar, në pjesën veriore të Kosovës janë shfaqur disa grafite, ku është parë një logo me mbishkrimin “Brigada e Veriut” në serbisht.

Grafite të shkruara në Mitrovicë të Veriut, “Mos u brengosni. Ne jemi këtu”. Për dallim prej “Mbrojtjes Civile”, për “Brigadën e Veriut” dihet shumë më pak. Përveç grafiteve me logo të saj në disa rrugë dhe objekte të ndryshme në pjesën veriore të Kosovës, nuk dihet se kush qëndron pas saj, nëse ka anëtarë aktivë dhe cili është roli i tyre.  “Brigada e Veriut” ka më shumë prezencë në rrjetet sociale. 
Për këtë formacion, gushtin e vitit të kaluar, ka folur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në një konferencë për media, Vuçiq ka thënë se gazetarët dhe opinioni po i referoheshin gabimisht organizatës me emërtimin “Brigada e Veriut”, pasi, sipas tij, emërtimi i saktë është “Brigada Veriu”.

“Unë jam një person i saktë. ‘Brigada e Veriut’ janë tifozët e Zvezdës [klub futbolli në Beograd]”, ka thënë Vuçiq.

Pas kësaj deklarate, grafitet në pjesën veriore të Kosovës kanë filluar të shkruhen me emërtimin “Brigada Veriu”.

Me kalimin e muajve dhe me rritjen e tensioneve në veri janë shpeshtuar edhe thirrjet e kësaj organizate kundër institucioneve të Kosovës.

Më 13 nëntor 2022 në Mitrovicë të Veriut u shfaqën grafite nga “Brigada e Veriut” me thirrje për rezistencë.

Ndërkohë, në veri janë shkruar edhe mbishkrime që tregojnë se ky formacion ka mbështetës të rinj: “Brigada e Veriut po rritet dita-ditës”.

Pas kësaj organizate nuk dihet se kush qëndron.

Ajo çfarë dihet është se në rrjete sociale, përfshirë platformën e komunikimit “Telegram”, “Brigada e Veriut” ka një llogari, në të cilën publikon vazhdimisht informacione për situatën në pjesën veriore të Kosovës.

Ka pasur dyshime se kjo brigadë qëndron edhe pas djegieve të veturave të serbëve në veri.

(Kosova Sot Online )