Abdixhiku takohet me shefin e EULEX’it

  • a.p /
  • 07 September 2023 - 17:21
Abdixhiku takohet me shefin e EULEX’it

Se sot ka zhvilluar një takim me kryetarin e LDK’së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar shefi i EULEX’it, Giovanni Pietro Barbano, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai ka shkruar në Twitter se me Abdixhikun ka pasur “shkëmbim interesant pikëpamjesh”.

Ata kanë diskutuar për situatën aktuale, sigurinë dhe problemet e sundimit të ligjit në kuadër të përpjekjeve të EULEX-it për të mbështetur sundimin e ligjit.

“Pas aktiviteteve më të gjera të komunikimit me palët e rëndësishme të interesit, pata një shkëmbim interesant pikëpamjesh me presidentin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, me të cilin diskutuam mbi situatën aktuale, sigurinë dhe problemet e sundimit të ligjit në kuadër të përpjekjeve të EULEX-it për të mbështetur sundimin e ligjit”, ka shkruar Barbano në Twitter.

Për këtë takim kanë njoftuar edhe nga LDK.

Ata kanë thënë se gjatë takimit janë adresuar tre çështje të rëndësishme.

“Së pari, u diskutua lidhur me sundimin e ligjit dhe demokracinë në Kosovë, në kuptim të evitimit të tendencave jokushtetuese dhe jodemokratike të ndërhyrjeve në sistemin e drejtësisë. U fol gjithashtu për situatën në veri dhe planin shtatë pikësh të LDK-së për deeskalim të situatës, duke vendosur gjithmonë fokusin në fuqizimin e sundimit të ligjit në veri në koordinim të plotë me aleatët tonë.”

LDK ka shkruar se Abdixhiku e ka njoftuar Barbanon për programin politik të LDK-së “Rruga e Re” për Kosovën “ku u vendos në pah përmbajtja e pasur me mbi 30 kapituj të një koncepti plotësisht zhvillimor të Kosovës”.

Abdixhiku pret shefin e EULEX’it në zyrë flasin edhe për situatën në Veri“Kryetari Abdixhiku shprehi gatishmërinë për komunikim të vazhdueshëm për të siguruar njoftimin e ndërsjellë për procese të rëndësisë publike”, thuhet në njoftimin e LDK’së.

(Kosova Sot Online)