Kryeministri Kurti takon ministrin e Turizmit të Izraelit, Katz

  • A.P /
  • 12 September 2023 - 18:33
Kryeministri Kurti takon ministrin e Turizmit të Izraelit, Katz

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Shefin e Stafit të Kryeministrit, Luan Dalipi, dhe me të Ngarkuarën me Punë në Ambasadën e Kosovës në Shtetin e Izraelit, Ines Demiri, priti në takim ministrin për Turizëm të Izraelit, Haim Katz, që po shoqërohej nga Ambasadorja e Izraelit në Republikën e Kosovës, Tammy Ziv dhe ambasadori Peleg Lewi, njëherësh këshilltar i ministrit Katz, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Për këtë ka njoftuar zyra e kryeministrit përmes një komunikate për media, të martën.

“Kryeministri i uroi ministrit Katz mirëseardhje në Kosovë, ku po zhvillon një vizitë treditore, dhe e falënderoi për mbështetjen e tij në forcimin e marrëdhënieve bilaterale. Diskutuan në lidhje me mënyrat e bashkëpunimit, sidomos në fushën e turizmit dhe shkëmbimit të përvojave dhe mbi mundësinë dhe arsyeshmërinë e hapjes së një lidhje direkte ajrore sezonale Tel Aviv – Prishtinë, si dhe për format e lehtësimit të udhëtimit të qytetarëve në drejtim të të dy vendeve”.

“Gjatë bisedës, kryeministri foli gjithashtu edhe për punën e qeverisë dhe arritjet kryesore, por edhe për potencialin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, të cilat vendosën marrëdhënie diplomatike në shkurt të vitit 2021”.

“Ministri Kazt, u shpreh falënderues për takimin dhe për mikpritjen që e ka përjetuar gjatë gjithë qëndrimit të tij në Kosovë. Gjithashtu u shpreh i kënaqur me vendet dhe lokalitetet kulturore, arkeologjike e historike që Kosova ka, e të cilat do të mund të tërheqin vëmendjen e interesimin e vizitorëve nga Izraeli, dhe qe i gatshëm që të ndajë me Kosovën praktikat më të mira në turizëm. Ai tha se është optimist se në një të ardhme të afërt Kosova do të bëhet destinacion i vizitorëve izraelitë”, thuhet në njoftim.

(Kosova Sot Online)