Kryeministri Kurti vizitoi sot 'Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror'

  • A.P /
  • 15 September 2023 - 18:23
Kryeministri Kurti vizitoi sot 'Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror'

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka vizituar Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror (OFAP), e cila është përfituese e programit mbështetës nga Qeveria, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kurti gjatë kësaj vizite falënderoi këtë organizatë për punën dhe angazhimin që bëjnë për t’u ofruar strehim e shërbime familjeve strehuese.

Po ashtu, kreu i Qeverisë theksoi se vendimi i Ministres së Drejtësisë i datës 1 Qershor 2023 për rritje të pagesës për mbështetje për fëmijët të cilët gjenden në strehim familjar – në vlerë prej 200,000 euro në vit është një tregues tjetër i cili pasqyron përkushtimin tonë si Qeveri për të mbrojtur fëmijët pa përkujdesje prindërore dhe për të forcuar konceptin e familjes strehuese.

“Me anë të këtij vendimi pagesa e rregullt mujore, për fëmijët e strehuar brenda familjes është rritur nga 100 në 150 euro, ndërkaq për fëmijët e strehuar jashtë familjes biologjike, pagesa e rregullt mujore është rritur nga 250 në 350 euro, përderisa nga 350 në 450 euro është rritur pagesa për fëmijët me aftësi të kufizuar të strehuar jashtë familjes biologjike”, u bë e ditur ndër të tjera.

Gjatë kësaj vizite u përmend edhe vendimi për fuqizimin e shërbimeve ku do të adresohen nevojat e qendrave për punë sociale

si dhe prioritizimi dhe adresimi i fëmijëve në Kodin Civil, i cili pret miratimin në Kuvend.

“Ndërkaq, Drejtoresha e OFAP, Ibadete Krasniqi, mirënjohëse për vizitën, shprehu falënderim për përkrahjen e Qeverisë për Organizatat Joqeveritare që ofrojnë Shërbime Sociale. Tutje, u prezantua puna dhe angazhimi i familjeve strehuese, fëmijëve pa kujdes prindëror dhe mënyra e trajnimit për këto familje dhe fëmijë”, thuhet më tej.


(Kosova Sot Online)