Musliu - Kurtit: Po i frikësohesh opozitës pasi s’po raporton në Kuvend

  • A.P /
  • 18 September 2023 - 15:57
Musliu - Kurtit: Po i frikësohesh opozitës pasi s’po raporton në Kuvend

Kryeministri Albin Kurti nuk është duke e mbrojtur interesin e Kosovës, ka deklaruar deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ajo ka shkruar në Facebook se Kurti po i frikësohet opozitës pasi s’po raporton në Kuvend.

“Se Albini i frikësohet opozitës fol vetëfakti që nuk po raporton në Kuvend. Klauzolat e nenet nuk i interesojnë askujt, mandatin e ke me i mbrojtë interesat e vendit dhe mos me hup miq. As nuk je duke e mbrojtë interesin dhe as miq tanimë nuk ke”, ka shkruar deputetja e PDK-së.

Kurti ka deklaruar para mediave se shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare nuk do t’i konvenonte as Qeverisë, e as opozitës. Sipas tij, shkuarja në zgjedhje do të linte Qeverinë pa opozitë.

“Kam dëgjuar që opozita herë kërkon dorëheqjen, herë shkarkimin tim e herë zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë nuk i konvenojnë as Qeverisë e as opozitës. Opozitës nuk i konvenojnë se i humb, Qeverisë s’i konvenojnë se zhduket opozita”, ka thënë Kurti.

(Kosova Sot Online)