Daçiq: Po na kërkoni të dëmtojmë marrëdhëniet me vendet që do të votojnë kundër Kosovës në OKB

  • E.K /
  • 20 September 2023 - 11:44
Daçiq: Po na kërkoni të dëmtojmë marrëdhëniet me vendet që do të votojnë kundër Kosovës në OKB

Kryediplomati serb, Ivica Daçiq, është munduar të arsyetojë qëndrimin e vendit të tij për të mos iu bashkuar Perëndimit në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Ai për Zërin e Amerikës tha se vota që ka dhënë Serbia në Kombet e Bashkuara në favor të Ukrainës tregon se ajo s’është politikisht neutrale në atë rast, raporton Danas.

“Ne votuam për të gjitha rezolutat që ishin në Kombet e Bashkuara dhe disa organizata të tjera ndërkombëtare që dënojnë shkeljen e integritetit territorial të Ukrainës”, tha Daçiq, i pyetur për mosrespektimin e vendimit të Këshillit Europian nga Serbia për të zgjatur embargon kundër Rusisë për shkak të aneksimit të Krimesë dhe Sevastopolit në 2014.

Daçiq, i cili ndodhet në Nju Jork si anëtar i delegacionit serb në seancën e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, pretendoi se “çështja e integritetit territorial dhe sovranitetit është bërë temë e rëndësishme në marrëdhëniet ndërkombëtare”, duke aluduar për Kosovën dhe duke u viktimizuar se po bëhen standarde të dyfishta në lidhje me Serbinë.

“Këto janë standarde të dyfishta dhe hipokrizi. Ju tani po flisni pse Serbia nuk ka marrëveshje me shtetet perëndimore, nëse do të propozoni që Kosova të anëtarësohet në OKB dhe neve po na kërkohet të dëmtojmë marrëdhëniet me vendet që do të votojnë kundër”.

Daçiq tha se ata që e shtyjnë Serbinë që të vendosë sanksionet kundër Rusisë, “nuk premtojnë se do të ndalojnë së shtyri Kosovën në organizatat ndërkombëtare”.

(Kosova Sot Online)