Pas intervistimit dhe analizave, shtetasit maqedonas që ndodheshin afër Manastirit në Banjskë nisen për në Maqedoni

  • S.A /
  • 25 September 2023 - 12:04
Pas intervistimit dhe analizave, shtetasit maqedonas që ndodheshin afër Manastirit në Banjskë nisen për në Maqedoni

Shtetasit maqedonas që gjendeshin në një hotel afër Manastirit në Banjskë, ku ndodhi sulmi ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, janë nisur për në Maqedoninë e Veriut, nën shoqërimin e policisë, transmeton "Kosova Sot Online".

Lajmin e ka bërë të ditur Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, i cili tha kjo është bërë pas intervistimit dhe analizave të zakonshme nga Policia e Kosovës.

Osmani ka thënë se lidhur me këtë rast ishte në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e Kosovës dhe se ka biseduar edhe personalisht me Kryediplomaten Donika Gërvalla.

“Pas intervistimit dhe analizave të zakonshme nga policia e Republikës së Kosovës, sot në mëngjes qytetarët tanë janë nisur të sigurt për në shtëpi, të shoqëruar nga policia e Kosovës. Rrethanat në të cilat u gjendën ishin komplekse, duke qenë se ata ishin të akomoduar në një hotel, në afërsi të vendit ku ndodhi sulmi me armë ndaj policisë.

Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme është njoftuar menjëherë për këtë situatë përmes kanaleve të rregullta dhe kam biseduar personalisht me kolegen time Donika Gërvalla-Shvarc. Gjatë gjithë procesit, shërbimet e Kosovës garantuan sigurinë e qytetarëve tanë dhe ambasada jonë në Prishtinë ishte në kontakt të vazhdueshëm me ta”, ka shkruar Osmani.

(Kosova sot Online )