Carpenter: Dënojmë fuqishëm sulmet e dhunshme në afërsi të manastirit të Banjskës

  • A.P /
  • 28 September 2023 - 17:17
Carpenter: Dënojmë fuqishëm sulmet e dhunshme në afërsi të manastirit të Banjskës

Pas sulmit terrorist në Banjskë që la të vdekur një polic të Kosovës, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE, Michael Carpenter, është takuar sot me përfaqësuesit e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së bashkuar, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Carpenter në deklaratën e lëshuar ne emër të QUINT-it, ka thënë se dënojnë fuqishëm sulmet e dhunshme në afërti të Manastirit të Banjskës më 24 shtator që çuan në humbjen e jetës së policit kosovar, Afrim Bunjaku.

Në këtë deklaratë të përbashkët ata kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e policit kosovar në krye të detyrës dhe kanë kërkuar që autorët të mbahen përgjegjës dhe të sillen para drejtësisë përmes një procesi hetimor transparent.

QUINT në OSBE vlerëson koordinimin e ngushtë të Policisë së Kosovës me KFOR-in dhe EULEX-in për të garantuar sigurinë e civilëve dhe theksojnë se janë duke e monitoruar situatën nga afër.


Ambasadorët e këtyre shteteve në OSBE kërkojnë rikthim në Dialogun e BE-së dhe potencojnë se diplomacia është e vetmja rrugë drejt paqes së qëndrueshme.

“Ne ritheksojmë angazhimin tonë për të ulur tensionet. Në këtë drejtim, prioriteti ynë mbetet ecja përpara në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke filluar me kthimin në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Diplomacia është e vetmja rrugë drejt paqes së qëndrueshme”, përfundon reagimi i QUINT-it. 

(Kosova Sot Online)