Kështu arsyetohet Dimali pasi deklarata e Pavarësisë përfundoj pas kauçit
Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka dalë me sqarim pas reagimeve për lënien në tokë të Deklaratës së Pavarësisë në këtë Ministri.
Reagimet erdhën pasi ish-deputetja e Vetëvendosjes, Adelina Grainca, publikoi një fotografi me Bashëm e ku në sfond shihet Deklarata e Pavarësisë e lënë në tokë pas kauçit.
Por, Basha tha se janë në proces të bartjes e sistemimit në objekt të ri të Ministrisë dhe se aktualisht po funksionojnë me kushte të përkohshme.
“Sa i përket lajmit për vendndodhjen e Deklaratës së Pavarësisë, dua ta sqaroj për opinionin publik se aktualisht jemi në proces të bartjes, sistemimit dhe inventarizimit të hapësirave të punës në objektin e ri të Ministrisë. Me procesin e bartjes dhe organizimit të inventarit nuk merret Ministri, por janë zyrtarët e Logjistikës, sepse këto janë çështje teknike dhe operative të organizimit. Deri tani, ky ambient funksionon në kushte të përkohshme, me orenditë e bartura nga objekti i vjetër dhe me organizim të improvizuar”.
Basha tha se u raportua “padrejtësisht dhe me tendencë”.
“Pjesë e inventarit dhe e materialeve të bartura është edhe Deklarata e Pavarësisë, e cila “nuk është hudh”, siç është raportuar”, por Basha shton se ajo është sjellë në zyrë nga objekti i vjetër dhe po pret derisa zyrtarët e logjistikës ta varin në mur.
Për këtë kishte reaguar OVL-UÇK që tha se fotografia e lënë mbrapa divanit është ‘’rrëfim politik’’ dhe se Deklarata e Pavarësisë u përdhos.
(Kosova Sot Online)
