
Lexoni edhe:
Mërgata vazhdon të përballet me barriera procedurale që mund ta kufizojnë pjesëmarrjen në procesin zgjedhor
Shkruan: ANALISTI-Skender Mulliqi
Qytetarët sigurisht nuk i kërkuan këto zgjedhje të radhës të jashtëzakonshme, me të cilat tashmë janë mërzitur. Gjithçka ka kaluar në monotoni, se zgjedhjet kaq të shpeshta nuk prodhojnë ndonjë efekt pozitiv. Nuk mund të parashikohet disponimi i daljes së qytetarëve në këto zgjedhje, edhe për faktin se nuk po realizohen kërkesat e tyre legjitime.
-Pse? Sepse kjo klasë politike po bën luftë të hapur për pushtet, e në anën tjetër po tallet me qytetarët dhe me shtetin e Kosovës. Nuk mund të quhet ndryshe kjo kur vendi shkon në zgjedhje për moszgjedhjen e presidentit, që po të ekzistonte vullneti politik, kjo ka mundur të ndodhë shumë shpejt. Këta njerëz të politikës i ka lënë mendja për ta dërguar sërish Kosovën e varfër në zgjedhje me kosto të lartë prej gati 11 milionë eurosh! Ky është popull fatkeq pse në ballë të politikës ka njerëz të tillë, që nuk u dhimbset buxheti i shtetit dhe nuk po u dhimbset as Kosova.
Tjetër. Nuk dua të merrem me statistika të tjera, se mjafton dëmi i madh që po i bëhet vendit, si brenda ashtu edhe në arenën ndërkombëtare, ku po humben me miliona donacione nga BE-ja. Këta po veprojnë sikur mos t’i kishin dy kokrra mend në kokë, duke rrezikuar të ardhmen tonë si popull dhe si shtet. Qytetarët tashmë aq shumë janë lodhur, sa e mira e së mirës, kur nuk po ekzistojnë mekanizma të tjerë që politikanët zullumqarë të largohen, të dalin masivisht në zgjedhje për t’i ndëshkuar, se të ardhmen tonë po e konsiderojnë lojë bixhozi. Është e çuditshme që nuk kemi asnjë reagim qytetar, jo vetëm tash por krejt pas luftës, ndaj atyre që na kanë mbuluar me krim, korrupsion dhe dukuri tjera negative, të cilat po e gërryejnë Kosovën nga brenda. Këto dukuri krijuan diferenca të mëdha sociale.
Vendi po braktiset nga papërspektiva e krijuar për 26 vite radhazi. Në një anë kemi shtresën e shumicës së varfër dhe në anën tjetër klasën e milionerëve, të cilët po diktojnë çdo gjë sot në Kosovë. Dhe, pikërisht këta e kanë vënë vendin para një sprove të madhe si shtet. Në vend të një shteti të avancuar, gjithnjë e më shumë po shohim një shtet të atrofuar. Afati i shkurtër nuk prodhon asgjë pozitive, pos ruajtjes së privilegjeve politike të kësaj klase politike katastrofale. Unë e kam thënë disa herë se zgjedhjet e shpeshta nacionale po mbahen edhe për faktin që mos të kemi reformë zgjedhore, se kjo u leverdis liderëve të partive politike, në pazaret e tyre.
Kur bëhet fjalë për diasporën, mendoj se afatet kohore për regjistrim janë të kufizuara për përfshirje të plotë, sepse edhe afati është i shkurtër. Megjithatë, mendoj se mërgata edhe kësaj radhe do të gjejë mundësi dhe kohë për të ardhur në zgjedhje. Ekziston mendimi logjik se zor të presim nga këto zgjedhje ndonjë efekt pozitiv, kur dihet për mentalitetin e klasës politike, e cila mund të vazhdojë prapë me lojëra si për formimin e Qeverisë së re ashtu edhe për zgjedhjen e presidentit të vendit. Nëse dikush mendon që me lojëra të ulëta politike të vazhdohet në pafundësi, do të na presin orë të liga të historisë si shtet dhe si komb në Ballkan…
Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".