Hoti: Hetimi sigurisht se duhet të shtrihet edhe në Serbi

  • A.P /
  • 29 September 2023 - 13:56
Hoti: Hetimi sigurisht se duhet të shtrihet edhe në Serbi

Deputeti Avdullah Hoti, ka thënë se është shumë e rëndësishme që, krahas hetimit për sulmin terrorist, të normalizohet jeta e qytetarëve në komunat në veri, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Sipas tij, këto hetime duhet të jenë shumë profesionale dhe në koordinim me ndërkombëtarët.
 

“Hetimi sigurisht se duhet të shtrihet edhe në Serbi, si pjesë e një hetimi ndërkombëtar që duhet të ndërmerret për këtë sulm”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Sipas Hotit, është shumë e rëndësishme që, paralelisht me këto hetime, të punohet për normalizim të shpejtë të jetës së përditshme në ato komuna.
 

Ai në katër pika ka dhënë sugjerimet e tij për situatën pas sulmit terrorist që ndodhi të dielën në veri:

1. Hetimet e institucioneve të Kosovës lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit duhet të jenë shumë profesionale e të kujdesshme, si dhe në koordinim të ngushtë me institucionet ndërkombëtare të sigurisë që janë të vendosura në Kosovë. Hetimi sigurisht se duhet të shtrihet edhe në Serbi, si pjesë e një hetimi ndërkombëtar që duhet të ndërmerret për këtë sulm. 

2. Është shumë e rëndësishme që, paralelisht me këto hetime, të punohet për normalizim të shpejtë të jetës së përditshme në ato komuna. Në këtë drejtim, duhet të vendoset komunikim i ngushtë me komunitetin serb në çdo lokalitet përmes këshillave lokale për t’i mbajtur të informuar dhe për t’i siguruar se do të kenë mbrojtjen e nevojshme. Qytetarëve atje, e kemi për obligim tu krijojmë ambient të sigurt që të dërgojnë fëmijët në shkollë, të kryejnë obligimet e tyre familjare e të punës, si dhe të lëvizin lirshëm. 

3. Pikat kufitare duhet të hapen sa më parë dhe të normalizohet qarkullimi, por edhe të sigurohet mbikëqyrje e plotë e vijës kufitare nga ana e KFOR-it. 

4. Ndërkaq, zgjidhja e përhershme afatgjate në veri duhet të jetë politike, përmes dialogut, dhe në koordinim të plotë me aleatët euro-atlantik, në veçanti SHBA-në.

(Kosova Sot Online)