Osmani: Sa më afër që është mërgata, aq më e fortë do të jetë Kosova
Vjosa Osmani, ish-presidente e vendit, i është drejtuar mërgatës me një video-mesazh, duke u bërë atyre që të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Osmani, në adresimin e saj ka thënë se, gjatë presidencës së saj, pjesa më e mirë e angazhimit të saj, kanë takimet me mërgatën.
‘’E keni dëshmuar në të kaluarën, e po e dëshmoni edhe sot, ju asnjëherë nuk e latë Kosovën vet. Edhe tani, atdheu ka nevojë për ju, për fjalën tuaj, për përkushtimin tuaj, për pjesëmarrjen tuaj. Më 7 qershor, ju duam përsëri bashkë. Ejani në Kosovë, ose regjistrohuni për të votuar. Për gjatë pesë viteve që isha në Presidencë, pjesa më e bukur e angazhimit tim kanë qenë pikërisht takimet me ju, pritjet për ju, diskutimet me ju, festimet e përbashkëta për të arriturat tona të përbashkëta e ndarja e dhimbjes në momentet e rënda si një familje që s’ka kush e ndan sepse kurrë nuk ia kthyet shpinën Kosovës. E mbajtët gjallë në momentet më të rënda, e ringritët atëherë kur ishte e rrënuar e i dhatë shpresë atëherë kur duhej më së shumti. Edhe tani, do ta bëjmë së bashku’’, ka deklaruar ajo.
Ish-presidentja, ka deklaruar edhe se, sa më afër që është mërgata, aq më e fortë do të jetë Kosova.
‘’Siç e kam thënë edhe kur vendosa që 28 dhjetori data e zgjedhjeve të kaluara, sa më afër e kemi mërgatën në çdo vendim, aq më e fortë do të jetë Kosova sepse ne jemi krenarë me ju. Kosovën e kemi të përbashkët pavarësisht ku jetojmë. Regjistrohuni, votoni, ndikoni. Ju dua shumë’’, ka thënë ajo.
(Kosova Sot Online)
