Prokuroria serbe e ndjek Radojiçiqin për trafikim armësh që i siguroi në Bosnjë dhe Hercegovinë

  • A.P /
  • 03 October 2023 - 18:05
Prokuroria serbe e ndjek Radojiçiqin për trafikim armësh që i siguroi në Bosnjë dhe Hercegovinë

Pasi pranoi përgjegjësinë për organizimin e sulmit në Banjskë, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd tha se ka marrë në pyetje Millan Radoiçiqin, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Në njoftim thuhet se ai u intervistua nën dyshimet se bashkë me disa persona – tash për tash të panjohur – kanë kryer vepra penale të bashkimit, me qëllim të kryerjes së veprave penale: “prodhim, mbajtje dhe trafikim i armëve të zjarrit dhe lëndëve shpërthyese”, si dhe “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”.

Sipas Prokurorisë, Radoiçiq dyshohet se “ka siguruar armë, municione dhe mjete shpërthyese me fuqi të madhe shkatërruese nga Tuzlla, në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, nga janari 2023 deri më 24 shtator”.

Armët i janë dorëzuar në territorin e qytetit të Beogradit – më së shpeshti në paralagjet Bubanj Potok dhe Vërçin, sipas Prokurorisë.

Më pas, ato armë “ai i ka transportuar dhe ruajtur në vende të pacaktuara në territorin e Kosovës, ku i ka fshehur në objekte të braktisura dhe pyje”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.

Sipas saj, i dyshuari e ka mohuar kryerjen e veprave të përmendura penale.

(Kosova Sot Online)