Osmani: Kosova është e vetmja palë konstruktive në dialog

  • A.P /
  • 04 October 2023 - 14:15
Osmani: Kosova është e vetmja palë konstruktive në dialog

Për çështjen e dialogut për normalizim të raporteve me Serbinë dhe për zbatimin e kërkesave që vijnë nga partnerët për çështjen e marrëveshjeve, ka folur presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për rrjetin televiziv amerikan CNN, përballë gazetares Christiane Amanpour, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Amanpour e ka pyetur Osmanin edhe për kërkesën amerikane për themelimin e Asociacionit dhe gjithashtu edhe për deklaratën e presidentit të Serbisë, Aleksander Vucic, i cili në CNN ka thënë se nëse Kosova do të themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe atëherë Serbia do të përmbushë secilin obligim që e ka marrë në kuadër të procesit të dialogut.

Osmani ka thënë se Kosova është e vetmja palë konstruktive në dialog dhe se obligimet që i ka marrë në marrëveshjen e shkurtit në Bruksel dhe ato në Ohër do t’i implementojë.

“Ka vetëm një palë konstruktive në dialog dhe ajo është Kosova që ka implementuar 99  % të obligimeve për këto 12 vitev. Është plotësisht e kundërta ajo që po bën Vucic. Ai thotë se është i gatshëm të negociojë por më fakt kurrë s’e bën implementimin. Ka një listë të gjatë të obligimeve që ka pasur Serbia. Kur vjen puna për Kosovën. Çfarë kemi marrë obligime në marrëveshjen e Brukselit në shkurt të këtij viti dhe në aneksin e Ohrit në mars, Kosova është e përkushtuar të implementojë dhe Kosova do të implementojë këto obligime që dalin nga këto marrëveshje”, ka thënë shefja e shtetit.

Amanpour e ka pyetur nëse kjo nënkupton edhe themelimin e Asociacionit. Presidentja ka thënë se nënkupton implementim të nenit shtatë për vetëmenaxhimin e serbëve dhe nenet e tjera të mbetura, por potencon se ajo çfarë po kërkon Kosova është dialog të balancuar dhe fer, gjë që s’po e merr dhe sipas saj, një gjë e tillë po e inkurajon Vuçiqin që të bëjë akte agresioni sikurse ai i së dielës.

“Kjo nënkupton që artikulli i 7 ofron vetëmenaxhimin për serbët dhe nënkupton edhe nenet tjera të mbetura. Kosova po kërkon një dialog të balancuar dhe fer, gjë që s’po e merr. Dhe kjo po e inkurajon Vucicin për të bërë akte siç bëri të dielën”, ka thënë Osmani për CNN.

Shefja e shtetit tutje në këtë intervistë ka thënë për CNN se Kosova thënë se ka ndërmarrë çdo hap për të qenë palë konstruktive në tryezën e diskutimeve, duke përmendur edhe propozimin e bërë për planin e sekuencimit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Ajo tutje ka potencuar se Kosova ka vepruar në bazë të këshillave të aleatëve dhe se të gjitha keqkuptimet janë tejkaluar.

“Ne kemi marrë çdo hap të vetëm që të jemi palë konstruktive në atë tavolinë. Ne kemi propozuar një plan sekuencimi për implementimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe Serbia s’e ka propozuar ende. Ne kemi vepruar bazuar në këshillat e aleatëve. Keqkuptimet që kemi pasur të gjitha janë tejkaluar. Tashmë jemi jo vetëm në një marrëveshje të plotë por edhe në koordinim me aleatët”, ka thënë presidentja Vjosa Osmani për CNN.

Presidentja e Kosovës ka shtuar se është e rëndësishme që të theksohet se Kosova aktualisht është nën sulm dhe se po përballet me agresion të Serbisë.

Osmani ka thënë se do të dëshironte që Serbia të implementonte obligimet e saj në kuadër të dialogut, meqë një gjë e tillë të kontribuonte në dialog parimor dhe në besueshmëri. Ajo shton se presidenti serb, Aleksander Vucic, në njërën anë flet për paqe derisa ka 48 baza ushtarake rreth kufirit me Kosovën.

“Çfarë është e rëndësishme tani është të theksohet se Kosova është nën sulm. Ka pasur një akt agresioni. Ky akt i agresionit vrau një polic të Kosovës. Do të dëshiroja që Serbia të implementonte obligimet e saj për këto 12 vjet, sepse kjo do të kontribuonte në një dialog parimor dhe në besueshmëri. Në një anë kemi Vuçiqin që flet për paqe dhe në anën tjetër kemi 48 bazat e tij ushtarake rreth kufirit me Kosovën.”, ka thënë Vjosa Osmani.

Në ndërhyrjen e gazetares së CNN se shpreson “që të dy palët” të kryejnë obligimet e tyre, Osmani është përgjigjur duke thënë se “s’ka këtu dy palë”. 

(Kosova Sot Online)