Kosova “mollë sherri” në Kuvendin e Shqipërisë, opozita kërkon “të futet në rend dite me urgjencë”

  • S.A /
  • 05 October 2023 - 12:22
Kosova “mollë sherri” në Kuvendin e Shqipërisë, opozita kërkon “të futet në rend dite me urgjencë”

Konferenca e Kryetarëve ka vendosur që interpelancat e kërkuara dhe rezolutat e propozuara për sulmin e 24 shtatorit në veri të Kosovës do të trajtohen në një seancë të dedikuar në 12 tetor, njoftoi kryeparlamentarja Lindita Nikolla. Por, opozita kundërshton me ngulm këtë vendim dhe kërkon që çështja e Kosovës të futet me urgjencë në Kuvend. Deputetët demokratë i kanë përqendruar kritikat e tyre te një intervistë e kryeministrit Rama për “The Financial Times”, që sipas tyre, kreu i qeverisë “e cilësoi veriun e Kosovës, tokë të askujt”, transmeton "Kosova Sot Online".

Luan Baçi: Është e turpshme kjo që po bëni sot, për të hequr vëmendjen nga çështjen e Kosovës. Kosova ka folur në mënyrë urgjente për problemet e saj. Është mbledhur parlamenti europian, ka folur BE, ka folur SHBA.

Po Shqipëria çfarë ka bërë. Ka thënë që veriun e Kosovës ta marrë në dorë KFOR-i, asht sikurse do Vuçiç? Shqipëria po bën lloqe në parlament, sipas skenarëve të mazhorancës. Nëse nuk e mblidhni sot, nuk ka asnjë arsye të mos mblidhemi nesër dhe të miratojmë rezolutën që ka miratuar edhe parlamenti i Kosovës.

Ramadan Likaj: Situata që po kalon Kosova kërkon që sot të ishte këtu kryeministri. Vazhdon ta injorojë parlamentin. Kemi tre muaj që nuk e shohim. Deklaratat që ka bërë nëpër Europë për Kosovës janë të rënda. Deklarata e djeshme që veriu i Kosovës nuk është tokë e askujt është skandaloze. Veriu i Kosovës është tokë e Kosovës, për të janë vrarë mijëra fëmijë. Duhet të dënojnë sulmin që bënë serbët, me qëllim aneksimin e Kosovës.

Të dilni me një qëndrim që ta ndalojë të flasë kryeministrin sikur është i një vendi armik me Kosovën.

Në një intervistë për prestigjozen britanike “The Financial Times” pas tensioneve në veri, ku forcat paramilitare serbe vranë një efektiv shqiptar dhe më pas morën peng Manastirin e Banjskës, ndërsa nga shkëmbimi i zjarrit me autoritetet ligjzbatuese mbetën të vdekur 3 terroristë, Rama e konsideroi Kosovën një pikë të nxehtë.

“Kosova është një pikë e nxehtë. Me kalimin e viteve është bërë toka e askujt, ku të gjitha llojet e krimeve kombinohen me nacionalizmin në rritje. Kufiri mes krimit dhe politikës është zbehur”.

Për këtë deklaratë, ka reaguar gazetari i “The Financial Times”, që ka sqaruar se pohimi i kryeministri Edi Rama se “veriu i Kosovës është tokë e askujt” është keqkuptuar./Tch/

(Kosova Sot Online )