Mujanoviq: Jo veç Kosova por edhe BeH e Mali i Zi rrezikohen nga Serbia, Vuçiq po përpiqet të zbatojë idenë e Millosheviqit

  • E.K /
  • 09 October 2023 - 13:07
Mujanoviq: Jo veç Kosova por edhe BeH e Mali i Zi rrezikohen nga Serbia, Vuçiq po përpiqet të zbatojë idenë e Millosheviqit

“Mali i Zi është në një lloj rreziku dhe nën presion të ngjashëm nga Serbia, si BeH dhe Kosova, sepse të treja përbëjnë shtyllën kurrizore strategjike të Ballkanit Perëndimor”. Kështu tha politikologu  Jasmin Mujanoviq në Gradska TV.

“Mali i Zi është pjesë e botës së famshme serbe, të cilën njerëz si Vulin dhe Vuçiq e imagjinojnë. Nëse shkatërrohet koncepti qytetar i Malit të Zi, do të jetë shumë keq si për BeH ashtu edhe për Kosovën. “Nuk ka asnjë skenar politik që do të ishte i keq për sovranitetin e saj dhe që nuk do të reflektonte keq në këto dy vende”, beson Mujanoviq.

Politika nacionaliste serbe dhe klika që e drejton për dyzet vjet, siç thekson ai, është e “ngrirë” dhe tani Vuçiq po përpiqet të zbatojë idenë e Millosheviqit.

“Për katër dekada kanë qenë në luftë kundër Kosovës, Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, kundër idesë së Evropës, liberalizmit, të drejtave të barabarta civile dhe kjo është një tragjedi e madhe. Dhe kjo është një tragjedi për vetë qytetarët e Serbisë, të cilët kanë humbur gjysmë shekulli në errësirë ​​dhe mjerim”, thekson Mujanoviq.

Sulmi në Banjskë nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen serioze politike dhe logjistike të projektit shtetëror, gjegjësisht Republikës së Serbisë, dhe është e padiskutueshme se ajo qëndron pas saj, thekson Mujanoviq.

Procesi i negociatave, beson ai, tashmë është ndërprerë plotësisht.

“Për Kosovën, nga ana politike, kjo duhet të nënkuptojë se në këtë moment prioritet i tyre është ruajtja e kontrollit në të gjitha pjesët e territorit. Çështja e sigurisë së shtetit dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti i parë i Qeverisë në Prishtinë. Do të ishte ideale nëse do të kishte përsëri një dialog, por duhet të pranojmë faktin se Beogradit me sa duket nuk i intereson kjo”, thekson Mujanoviq.

Ai shton se Beogradi priret drejt dhunës dhe konflikteve të reja dhe se, siç thotë ai, i vetmi vendim real dhe logjik që Prishtina mund të marrë është të mbrohet.

Megjithatë, Mujanoviq dyshon se BE-ja do t’i vendosë sanksionet e paralajmëruara ndaj Serbisë.

“Ka mundësi që SHBA-të të vendosin disa sanksione shtesë ndaj liderëve të caktuar serbë në Beograd, por, për fat të keq, nuk pres ndonjë gjë të veçantë sa i përket Komisionit Evropian”, thotë politologu.

Ai është i bindur se do të ketë një incident të ri, nëse nuk ka përgjigje serioze për atë që, siç thekson, ka bërë Serbia.

“Mënyra se si Perëndimi i zhvillon marrëdhëniet e tij me Kosovën është shumë e palogjikshme dhe në këtë kontekst duket se për administratën e Bidenit, Serbia e Vuçiqit, e cila është aleate e Rusisë dhe Kinës, është një mike më e madhe amerikane sesa Kosova e orientuar në mënyrë demokratike” përfundon Mujanoviq.

(Kosova Sot Online)