Albin Kurti në takim me Roth: Dialogu nuk mund të vazhdojë sikurse të mos ketë ndodhur asgjë

  • E.K /
  • 16 October 2023 - 12:04
Albin Kurti në takim me Roth: Dialogu nuk mund të vazhdojë sikurse të mos ketë ndodhur asgjë

Në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që po mbahet në Tiranë, kryeministri, Albin Kurti është takuar me Kryesuesin e Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit gjerman, Michael Roth, përcjell “Kosova Sot Online”.

Në njoftimin e ZKM’së thuhet se gjatë takimit u diskutua rreth situatës aktuale në vend dhe procesin e dialogut.

Sa i përket dialogut, Kurti ka thënë se ai nuk mund të vazhdojë sikur të mos ketë ndodhur asgjë.

“Në lidhje me procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kryeministri Kurti u shpreh se ai nuk mund të vazhdojë sikurse të mos ketë ndodhur asgjë. Kapitulli i ardhshëm i dialogut për normalizim duhet ta ketë parasysh veprimin agresor të Serbisë përmes sulmit terrorist të 24 shtatorit, për të cilin ka dëshmi e fakte të mjaftueshme për përfshirjen e Serbisë.”

“Serbia të zmbrapset nga refuzimi publik dhe faktik i pjesëve të Marrëveshjes Bazike të cilat kanë të bëjnë me njohjen de-facto të Kosovës dhe integritetin tonë territorial.”

Në këtë takim, Kurti dhe Roth kanë biseduar edhe rreth rrugëtimit e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.

Kurti e ka falënderuar Roth për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë si dhe të tij ndaj Kosovës.

(Kosova Sot Online)