Ja çfarë armatimi u kap në veri që nga sulmi i 24 shtatorit

  • A.P /
  • 18 October 2023 - 17:11
Ja çfarë armatimi u kap në veri që nga sulmi i 24 shtatorit

Më 24 shtator, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku si pasojë u vra rreshteri Afrim Bunjaku, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Një ditë pas sulmit, në qendrën e njësive speciale “Enver Zymeri”, Policia ekspozoi armët që ishin përdorur në këtë sulm. Për armët e kapura, Policia njoftoi edhe në faqen zyrtare në Facebook, ku listoi secilën prej tyre.

“8 mina kundër këmbësorisë, 29 zolla të mbushura, 7 zolla të përdorura, 54 predha minahedhëse 82mm, 88 predha minahedhëse 62mm, 75 granata dore, 8 mina antitank, eksploziv plastik 5.5kg, 150 eksploziv dinamit, eksploziv tritol 20 kg, 9 tromblon për pushkë, 23 detonator elektrik, 1 lansues me nitroglicerin, 6 armë e gjatë mitroliz, 30 armë të gjata AK47, 6 armë të gjata me dyrbi, 3 revole, 3 armë të shkurta me shurdhues, 18 shurdhues për AK47, 235 karikator për AK47, 21 antipluma, sasi shumë e madhe e municionit të kalibrit të ndryshëm”, janë të përfshira në këtë listë.

Për këto armë, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se këto janë armatime të dala drejtpërdrejtë nga magazinat e ushtrisë së Serbisë.

“Sasia dhe llojet e armatimeve që janë zënë më 24 shtator në Banjskë është e pamundur të mblidhen nga një individ, edhe nëse ai është jashtëzakonisht i fuqishëm, siç është Millan Radoiçiq. Ka armatim ushtarak, ka armatim të vitit të prodhimit më 2021, 2022 – gjë që tregon se nuk janë mbetje të luftës së viteve 1998/99, apo edhe më herët në Ballkan, por janë armatime të dala drejtpërdrejt nga magazinat e ushtrisë së Serbisë. Këtë e kemi dëshmuar, duke prezantuar dokumente, të cilat i kemi zënë, ku bëhet pranim-dorëzimi i këtij armatimi”, deklaroi Sveçla.

Operacionet e Policisë në veri të vendit, vazhduan edhe pas datës 24 shtator.

Më 25 shtator, Policia bëri me dije se në zonën e fshatit Banjskë janë gjetur dhe janë konfiskuar disa mjete dhe arsenal armësh.

Policia kishte konfiskuar një veturë rëndë të blinduar, dy vetura dhe një bager, të cilat kishin qenë të mbushura me sasi të madhe armatimi.

“Një armë e kalibrit të rëndë (lansues me nitro 30 mm), tri armë të kalibrit të rëndë (gulinov me tri tyta), dy armë të gjata (mitraloza), një snajper (black spear 12.7mm), një minahedhës (82 mm), njëzet e dy armë të gjata (AK 47), një automatik (RPZ), dy pushkë gjuetie, dy armë të shkurta (revole), një granatë dore, shtatëdhjetë e katër karikatorë për AK 47,  nëntë jelekë antiplumb,  një radiolidhje, tetë çanta ushtarake, gjashtë uniforma ushtarake”, ishin kapur nga Policia atë ditë, sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare.

Policia kishte gjetur dhe sekuestruar armë të tjera sërish në Zveçan më 30 shtator, gjatë kontrollit dhe krehjes së terrenit të zonës ku ishte sulmuar Policia nga grupi terrorist.

Saktësisht, ishin gjetur dhe sekuestruar sasi e konsiderueshme e armëve të rënda, municionit e pajisjeve të ndryshme ushtarake, në pjesën malore të fshatit Brezne, prej nga kishin ikur terroristët.

“Sendet e gjetura dhe sekuestruara janë evidentuar sipas gjetjes në terren, e të cilat janë si në vijim: antiplumb, karikator me 30 fishek, kapelë dhe doreza, maskë ngjyrë e gjelbërt,  maskë tjetër, antiplumb me tre karikator dhe 90 fishek, çantë e vogël për brez, pjesë e sipërme e uniformes, antiplumb me 3 karikator dhe 85 fishek, armë e gjatë me 5 karikator me nga 30 fishek, një rrip, dy karikator me nga 30 fishek, armë e gjatë dhe dy karikator të pistoletës me nga 15 fishek, gjoksore ngjyrë e zezë me 5 karikator nga 30 fishek dhe një granat dore, armë e gjatë me pesë karikatorë me nga 30 fishek, armë e gjatë me pesë karikator me nga 30 fishek, armë e gjatë me një karikator me 30 fishek, armë e gjatë me një karikator me 30 fishek,  radio lidhje motorol, zolle, kapelë ngjyrë ushtarake,  një antiplumb me një karikator dhe 30 fishek,  një karikator, radio lidhje,  xhakete shiut, një pako me cigare”, kishte njoftuar Policia, atë ditë.

Bastisjet e Policisë së Kosovës në veri, kanë vazhduar edhe gjatë kësaj jave, por nuk ka pasur të dhëna të detajuara se çka është gjetur gjatë operacioneve policore.

(Kosova Sot Online)