Alarmon Kamberi: Në Luginën e Preshevës po ndodh spastrim etnik

  • A.P /
  • 26 October 2023 - 16:15
Alarmon Kamberi: Në Luginën e Preshevës po ndodh spastrim etnik

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka deklaruar se shqiptarët në Luginën e Preshevës po vazhdojnë të përballen me pushtetin serb, i cili në asnjë moment, sipas tij, nuk e ka ndryshuar politikën ndaj shqiptarëve atje, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Kamberi thotë se në Luginën e Preshevës po ndodh spastrim etnik, e që sipas tij, shkelja e të drejtave të njeriut që po e bënë Serbia është në kundërshtim me kushtin e Bashkimit Evropian ndaj Serbisë për t’u bërë anëtare.

Ai tutje shprehet se mungon trysnia e BE-së, që të rregullojë së pari, atë që quhet autonomi e pakicave.

“Spastrimi etnik ka filluar në vitin 1999. Zbrazja e vendbanimeve në atë kohë që ishin të banuara kryekëput nga shqiptarët. Metoda tjetër e spastrimit është mosnjohja e diplomave, 15 gjenerata kanë përfunduar studimet në Kosovë e atyre nuk iu njihet ende diploma. Dhe, metoda tjetër e spastrimit etnik është pasivizimi i adresave, ku në Medvegjë është arritur qëllimi ngase mbi 4 mijë shqiptarë kanë humbur vendbanimin”, thotë deputeti shqiptar në Parlamentin serb, në Radio Dukagjini.

Kamberi tregon se Serbia e dirigjon komunitetin e vet në Kosovë dhe mbanë 500 milionë euro në vit për ta, vetëm për aq sa dihet publikisht.

Thotë se ka fushatë të egër kundër produkteve shqiptare nga ana e serbëve, veçanërisht ndaj atyre pak prodhuesve që ka në Luginë.

Kërcënimet që i merr vazhdimisht Kamberi thotë se nuk e mposhtin.

Ai deklaron se konfrontimi i tij me pushtetin serb po i bënë shqiptarët atje që të besojnë se po i dëmton, por në afatgjatë, ai beson se kjo është rruga e duhur e raportit me udhëheqjen serbe.

Kur flet për vendosjen e flamurit Kuq e Zi në Parlamentin e Serbisë, thotë se ishte me qëllim që të shpjegonte që barabarësia nuk mund të kushtëzohet.

(Kosova Sot Online)