Von der Leyen: Pranojeni Asociacionin, Serbia njohjen ‘de facto’

  • E.K /
  • 30 October 2023 - 15:43
 Von der Leyen: Pranojeni Asociacionin, Serbia njohjen ‘de facto’

Pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani në Prishtinë, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha se do të ketë hapa të suksesshëm përpara “vetëm nëse Kosova dhe Serbia do t’i normalizojnë marrëdhëniet, përcjell “Kosova Sot Online”.

Ajo përsëriti kërkesën e kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, presidentit të Francës, Emmanuel Macron dhe kryeministres së Italisë, Giorgia Meloni për themelimin e Asociacionit.

“Ftojmë edhe Kosovën ta lansojë procedurën për pranimin e Asociacionit të komunave që ka mbetur si draft. Kurse Serbia duhet ta pranojë një njohje ‘de facto'”, tha ajo.

“Kjo është ajo që unë dhe Presidentja kemi biseduar dhe natyrisht që kemi biseduar edhe me Kryeministrin se çfarë mund të bëhet që masat të tërhiqen dhe këtu e kemi edhe atë temën e një draftstatuti për diskutime. Kjo që e them është shumë teknike, por është një hap shumë i rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo është vendimtare dhe natyrisht do t’i hapë dyert për qasjen në planin e rritjes. Jemi duke punuar në këtë. Kjo është diçka që këtu të dyja palët duhet t’i ndërmarrin të gjitha hapat e duhur, është vendimtare që të mos ketë eskalim por edhe të ecim drejtë Bashkimit Europian”, tha Ursula von der Leyen.

(Kosova Sot Online)