Mbi 200 të vrarë në Gaza, ushtria izraelite rrethon qytetin, Blinken kërkon pauzë humanitare

  • S.A /
  • 06 November 2023 - 12:05
Mbi 200 të vrarë në Gaza, ushtria izraelite rrethon qytetin, Blinken kërkon pauzë humanitare

Shpërthime të fuqishme u raportuan rreth veriut të Gazës, pas atyre që sipas korrespondentëve në zonë, ishin bombardimet më intensive që prej fillimit të luftës. Tel Avivi njoftoi se kishte goditur 450shënjestra gjatë 24 orëve të fundit ndërsa pretendon se forcat tokësore kanë rrethuar qytetin e Gazës, duke e ndarë rripin në dy pjesë, atë të jugut dhe veriut, transmeton "Kosova Sot Online".

 Forcat e mbrojtjes thonë se kanë marrë nën kontroll një qendër komande të Hamasit, me zona vëzhgimi, trajnimi e po ashtu tunele nëntokësor.

Lidhjet telefonike dhe të internetit janë ndërprerë dhe mbi 200 persona raportohen të vrarë në enklavë.

“Siç mund të shihni një pozicion pranë komunitetit të Al-Rimal, ku jetojmë unë dhe familja ime u bombardua. Kjo duhet të jetë një zonë rezidenciale apo civile dhe është bombarduar dy herë. Duket se godina është shkatërruar plotësisht dhe nga rrënojat dëgjohen ende zëra”, raportoi gazetari Osama Asama Ashi.

 Sekretari amerikan I shtetit, Anthony Blinken mbërriti në Turqi teksa vijon turin diplomatik në rajon, dhe kërkon pauzë të luftimeve. Të dielwn, Blinken tha se liderët rajonalë do ta mirëprisnin një pauzë humanitare, por Izraeli thotë se ka nevojë për më shumë përparim në lirimin e pengjeve para se të dakordësohet për ndonjë pauzë të mundshme.

 “Është e rëndësishme që jemi të angazhuar në garantimin e një pauze humanitare, diçka që do të përfshijë edhe mundësinë e rikthimit të pengjeve”, u shpreh Blinken.

Krerët e të gjitha agjencive kryesore të OKB, publikuan një deklaratë të rrallë, ku kërkojnë armëpushim të menjëhershëm humanitar në Rripin e Gazës. Sipas autoriteteve palestineze mbi 9700 persona janë vrarë në territor që prej 7 tetorit. 

(Kosova Sot Online )