Gjuriq ankohet për njohjen e Kosovës nga Izraeli, me frazat e vjetra të Millosheviqit

  • E.K /
  • 10 November 2023 - 09:11
Gjuriq ankohet për njohjen e Kosovës nga Izraeli, me frazat e vjetra të Millosheviqit

Ambasadori serb në SHBA, Marko Gjuriq, në një intervistë për “Jerusalem Post” ka përsëritur frazën e vjetër të kriminelit të luftës Sllobodan Millosheviq, se Kosova është “djepi i shtetësisë, shpirtërores, kulturës dhe identitetit të Serbisë” dhe se njohja e pavarësisë së saj nga Izraeli ishte një goditje e rëndë për marrëdhëniet serbo-izraelite.

“Njohja e “të ashtuquajturës” Kosovë nga qeveria izraelite ishte, pa asnjë dyshim, goditja më e rëndësishme për marrëdhëniet serbo-izraelite në 75 vjetët e fundit”, ka pretenduar Gjuriq.

Ai ka thënë se “Kosova është tokë e shenjtë për serbët, jo vetëm 13 për qind e territorit sovran, por djep i shtetësisë, shpirtërores, kulturës dhe identitetit të Serbisë”.

Ai ka pretenduar se “Kosova konsiderohet si pjesë e Serbisë nga Kombet e Bashkuara dhe 110 shtete të botës, ku gjithsej 79.8 për qind e popullsisë e mbështesin qëndrimin e Serbisë për statusin e Kosovës”.

“Në tre vjetët e fundit, 27 shtete “e kanë revokuar apo ngrirë” njohjen e Kosovës, për të lehtësuar zgjidhjen përmes dialogut. Izraeli ishte i vetmi njohës i ri. Marrëdhëniet dypalëshe pësuan një goditje të rëndë. Por, marrëdhëniet mes serbëve dhe hebrenjve janë aq të forta dhe të bazuara, saqë me krenari mund të them se ne po vazhdojmë t’i zhvillojmë marrëdhëniet tona në shumë sfera dhe jam i bindur se këtë do ta bëjmë me një ritëm edhe më të madh”, ka pretenduar Gjuriq.

(Kosova Sot Online)