Osmani pret kryediplomaten belge Hadja Lahbib, i kërkon ndihmë

  • A.P /
  • 24 November 2023 - 18:07
Osmani pret kryediplomaten belge Hadja Lahbib, i kërkon ndihmë

Ministren e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Belgjikës, Hadja Lahbib, e ka pritur në takim presidentja Vjosa Osmani, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Osmani e ka informuar ministren Lahbib edhe për zhvillimet e fundit politike dhe të sigurisë në Kosovë, posaçërisht në lidhje me agresionin e 24 shtatorit të Serbisë ndaj Kosovës dhe nevojën e adresimit të përgjegjësisë së saj për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit.

Sipas Presidentes Osmani, Kosova është një vend modern evropian, demokratik dhe shumetnik që aspiron të bëhet anëtare e plotë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, si dhe e organizatave të tjera ndërkombëtare.

Në këtë kontekst, Presidentja Osmani tha se meqë Belgjika e merr presidencën e BE-së më 1 janar 2024, ndaj Kosova është e interesuar të punojë sa më afër me Presidencën belge për të siguruar progres konkret në procesin e integrimit të Kosovës në BE.


(Kosova Sot Online)