Berisha: Pavarësia e Shqipërisë i vuri fuqitë e mëdha para faktit të kryer

  • A.P /
  • 28 November 2023 - 19:00
Berisha: Pavarësia e Shqipërisë i vuri fuqitë e mëdha para faktit të kryer

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar një takim me departamentin ‘Brain Gain’ në nderim të ditës së pavarësisë së vendit, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Berisha është shprehur se në rast se bëhet fjalë për pavarësinë e një kombi, kushti i të gjitha kushteve është identiteti i tij, dhe identiteti i çdo kombi, i kombit shqiptar ka për shtyllë kryesore, gjuhën-kulturën, kulturën dhe gjuhën.

Fjala e Berishës:

Mirëmbrëma, dhe një përshëndetje të përzemërt, urim për të gjithë ju, për të gjithë shqiptarët, këtë ditë që shënon ditëlindjen moderne të kombit shqiptar.

Shënon ditën e pavarësisë së vendit, një ditë frymëzimi për çdo shqiptar.

Dua të përshëndes përzemërsisht departamentin ‘Brain Gain’ që ka përzgjedhur të nderojmë së bashku këtë ditë me një dimension kulturor, dhe kjo është një përzgjedhje e mençur, e drejtë.

Në rast se bëhet fjalë për pavarësinë e një kombi, kushti i të gjitha kushteve është identiteti i tij, dhe identiteti i çdo kombi, i kombit shqiptar ka për shtyllë kryesore, gjuhën-kulturën, kulturën dhe gjuhën.

Ndaj dhe në kremtimin e pavarësisë tonë, në këtë dimension ne i bëjmë një kremtim vërtetë fisnik.

Theksoj edhe njëherë, pavarësia është ditëlindja moderne e një kombi. Është ditë frymëzimi sepse në kushtet kur Ismail Qemali dhe etërit e tjerë të pavarësisë, shpallën në Vlorë, pavarësinë e Shqipërisë, ai ishte një akt i guximit, vizionit të jashtëzakonshëm.

Ishte një akt kur nga të gjithë fuqitë e mëdha, përveç njëra, të gjithë ishin kundër. Askush nuk donte përveç Austro-Hungarisë dhe kontit Bertold, një shtet të pavarur në trojet e tij.

Qeverinë e Ismail Qemalit nuk e njohën gjer në gusht të vitit 1913.

Por nëse ky burrë i madh, vizionar, nuk do të ngrihej me një guxim mbi kohën, së bashku me Isa Boletinin dhe elitën tjetër të kombit, të shpallte në Vlorë pavarësinë, gushti i 1913 do të kishte vendosur shpërbërjen, copëtimin përfundimtar të kombit shqiptar.

Ismail Qemali i vendosi fuqitë e botës, që nuk donin një shtet shqiptar, para faktit të kryer, se shteti shqiptar ekzistonte, se Shqipëria ekzistonte si shtet sovran dhe i pavarur.

Në këtë kontekst po të shkojmë pas në ato kohëra dhe të mendojmë këtë akt, ky akt kalon në një legjendë të vërtetë.

Por ky akt u bë vendimtar për fatin e kombit, asokohe të ndarë dhe të pushtuar pothuajse në 2/3 e trojeve të tij. Ky akt ka qenë përcaktues për Kosovën e lirë dhe të pavarur.

Pa pavarësi të Shqipërisë nuk do të mund të kishte kurrë, pavarësi të Kosovës.

Pa pavarësi të Shqipërisë, shqiptarët kudo që jetojnë në vendet e tjera në Ballkan nuk do të mund të ishin ata që janë sot.

Ndaj dhe nëse kombet e tjera e kanë pavarësinë edhe si dhuratë, apo e kanë ndonjëherë edhe si aksident të historisë, shqiptarët e kanë nga një akt mbinjerëzor i Ismail Bej Vlorës dhe elitës së kombit. I atyre luftëtarëve, politikanëve, udhëheqësve popullor, që organizuan kryengritjet e mëdha të Kosovës.

Pra sa më shumë të ndalesh në pavarësinë tonë, ta mendosh, studiosh, lexosh, aq më mahnitëse, mrekulli, magjepsëse dhe më frymëzuese bëhet ajo.

ZYRA E MEDIAS DHE KOMUNIKIMIT, PARTIA DEMOKRATIKE

(Kosova Sot Online)