Mbi 100 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë të premten

  • A.P /
  • 01 December 2023 - 20:20
Mbi 100 të vrarë nga sulmet izraelite në Gazë të premten

Bombardimet izraelite në shtëpitë dhe ndërtesat e Rripit të Gazës i kanë vrarë rreth 100 njerëz, sipas zyrtarëve shëndetësorë në këtë enklavë, pasi luftimet rifilluan të premten pak minuta pasi skadoi marrëveshja e armëpushimit.

Izraeli e ka akuzuar Hamasin – grupin radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian – për shkeljen e armëpushimit, derisa Hamasi e ka akuzuar Izraelin, duke thënë se ai nuk i pranoi ofertat për lirimin e më shumë pengjeve.

Katari, ndërmjetësuesi i tyre, tha se përpjekjet po vazhdojnë për ta ripërtërirë armëpushimin, sipas të cilit Izraeli i pati ndërprerë shumicën e veprimeve ushtarake në Gazë dhe liroi të burgosur palestinezë, kryesisht gra dhe adoleshentë, në këmbim të lirimit të pengjeve të mbajtura nga Hamasi.

Mbi 100 pengje u liruan gjatë armëpushimit njëjavor, shumica e të cilëve dukeshin mirë fizikisht por të tronditur.

(Kosova Sot Online)