Vëllai i Liridonës: Ditët po na bëhen edhe më të vështira dhe mezi po kalojnë, dhimbja po rritet

  • E.K /
  • 06 December 2023 - 12:52
Vëllai i Liridonës: Ditët po na bëhen edhe më të vështira dhe mezi po kalojnë, dhimbja po rritet

Në Prishtinë mbrëmë është mbajtur një protestë për të kërkuar drejtësi për Liridona Ademaj, përcjell “Kosova Sot Online”.

Lidhur me këtë protestë ka folur Leonard Ademaj, vëllai i Liridonës.

Ademaj ka shkruar se dhimbja e tyre po rritet dhe se ditët bëhen akoma edhe më të vështira.

Tutje, ai ka shtuar se besojnë në institucionet e shtetit dhe se presin që të ndajnë drejtësi.

Postimi i plotë:

Nuk kemi fjalë të shprehim mirënjohjen tonë për të gjitha organizimet për të nderuar Liridonen dhe për të kërkuar drejtësi për të gjitha gratë dhe vajzat e vrara.

Ditët po na bëhen edhe më të vështira dhe mezi po kalojnë e dhimbja po rritet por organizimet në shumë qytete në Kosovë dhe në Shqipëri po na japin forcë që të mos dorëzohemi.

Sonte bashkë me nanen po i përcjellim lajmet dhe marshin në Prishtinë dhe ndonëse shumë e pikëlluar, nana vazhdimisht po thotë faleminderit prej tyre që po e bëjnë këtë për Donen time.

Kampanja jonë për drejtësi fillon tash, bashkë me juve aktiviste, organizata joqeveritare dhe me mbështetjen e mediave. Ne duam drejtësi të shpejtë dhe profesionale, pa vonesa dhe pa gabime. Kriminelët duhet të kalben në burg. Asnjë grua tjetër nuk duhet të vritet. Ne besojmë në institucionet e shtetit dhe presim që të ndajnë drejtësi.

(Kosova Sot Online)