Totaj: Shteti nuk duhet të bëjë propagandë por të ketë vizion

  • A.P /
  • 13 December 2023 - 19:00
Totaj: Shteti nuk duhet të bëjë propagandë por të ketë vizion

Pas ndarjes së 100 euro nga Qeveria për fëmijët e pensionistët, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i pjesëtareve të Lëvizjes Vetëvendosje, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Përmes një postimi në Facebook, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Artan Abrashi, e ka quajtur udhëheqësin e ekzekutivit si Babadimër.

“Gëzuar vitin e ri 2024, e ka leshu dorën BABAdimri” ka postuar Abrashi.

Për këtë mesazh reagoi kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj.

“Ajo çka është interesant që Babadimri zakonisht maskohet për me e humb identitetin e vertetë. Kam përshtypjen që kjo Qeveri e ky kryeministër po maskohen për me e humb identitetin sepse hala nuk po e dimë cili është identiteti i tyre a janë premtimet në fushatë apo mënyra e Qeverisjes tash apo propaganda e tyre në rrjetet sociale” ka thënë Totaj

Ai ka thënë qe shteti nuk duhet të bëjë propagandë por të ketë vizion.

“Shteti do të duhej të kishte vizion dhe të kishte një udhërrëfyes të qartë se si duhej të zhvillohej shëndetësia, arsimi, ekonomia, kultura sporti, ligji e reputacioni i Kosovës e të gjitha këto janë duke shkuar në regres prej kur Kurti është në krye të Qeverisë” theksoi i pari i Prizrenit.

(Kosova Sot Online)