KMDLNj del kundër ngritjes së faturave të energjisë elektrike duke e konsideruar si mashtrim

  • A.P /
  • 26 December 2023 - 13:55
KMDLNj del kundër ngritjes së faturave të energjisë elektrike duke e konsideruar si mashtrim

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar të hënën, kundër ngritjes së faturave të energjisë elektrike, duke e konsideruar këtë si mashtrim nga ana e kompanive KEDS dhe KES/CO. Reagimi i KMDLNj-së bazohet në reagimet e shumta të qytetarëve se këtë muaj faturat për rrymë janë 100% më të shtrenjta se muajin e kaluar, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

 

“Po në të njëjtën kohë serbët dhe banorët tjerë të veriut të Kosovës vazhdojnë të mos i paguajnë faturat për rrymën e shpenzuar sikur që rrymën e shpenzojnë pa asnjë kufizim. Qeveria e Kosovës në rastin konkret po zbaton standarde të dyfishta duke favorizuar serbët e veriut pasi ua paguan rrymën dhe duke i ndëshkuar konsumatorët e rregullt me një rritje aq të madhe dhe për këtë as që ka reaguar”, konsideron KMDLNj.

 

Kjo e fundit ka kërkuar nga qytetarët e Kosovës që t’i bëjnë publike faturat e këtij muaji duke i krahasuar me ato të muajit paraprak sikur edhe të paraqesin kundërshtim në KEDS për këto fatura që, sipas KMDLNj-së, janë vjedhje e parasë nga buxheti.

 

“Në çdo vend normal kjo vjedhje klasike përmes faturave të rrymës do të ishte mundësi e artë për opozitën që fuqishëm të kundërshtojë ndërsa te ne vetëm kishte reagime sporadike të deputetëve. Për këtë plaçkitje legale deputetët e Kuvendit të Kosovës është dashur të thërrasin seancë të jashtëzakonshme ndërsa qytetarët e Kosovës është dashur të reagojnë fuqishëm përmes një aktivizmi qytetar kundër KEDS, KES/CO dhe ZRrE –së”, thuhet në reagim.

 

Sipas KMDLNJ-së, e keqja e gjithë kësaj është se ZRrE, si Rregullator i Energjisë Elektrike asgjë nuk ka ndërmarrë për mbrojtje të interesit të qytetarëve të Kosovës, por siç thuhet, se ka mbrojtur gjithmonë interesin e kompanive gllabëruese si KEDS dhe KES/CO.

 

KMDLNJ ka reaguar edhe kundër Komunës së Prishtinës, e cila nëpërmjet një informate, tregon për ndryshimin e Rregullores “Prishtina Parking“, se më nuk do të ketë mundësi t’i dënojë qytetarët për veturën e parë.

 

“Sa i përket shqiptimit të dënimit del se “Prishtina Parking“ edhe në të ardhmen do të dënojë qytetarët, tash pak më butë duke i detyruar që për parkim të gabuar apo mospagesë të paguajë 20 euro edhe në rast se jeni parkuar vetëm një apo dy orë. KMDLNj mendon se “Prishtina Parking“ duhet të vendosë kamera në të gjitha hapësirat që i menaxhon ku saktë do të dihet se sa orë ka qëndruar vetura e parkuar në mënyrë jo të rregullt. Qytetari duhet të paguaj për aq orë sa ka parkuar në mënyrë të parregullt dhe eventualisht të paguajë një dënim prej maksimumi 30 % e shumës së papaguar”, thuhet në reagim.

(Kosova Sot Online)