Stano: Ne mirëpresim vendimin e Serbisë për të njohur zyrtarisht targat e automjeteve RKS

  • A.P /
  • 26 December 2023 - 14:15
Stano: Ne mirëpresim vendimin e Serbisë për të njohur zyrtarisht targat e automjeteve RKS

Vendimin e Serbisë për t’i njohur targat e automjeteve RKS të lëshuara nga Kosova, e ka mirëpritur zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”

Stano ka thënë se ky është një hap pozitiv në zbatimin e marrëveshjes për rrugën e normalizimit, teksa shtoi se pret nga Kosova të përgjigjet në mënyrë të ngjashme.

“Ne mirëpresim vendimin e Serbisë për të njohur zyrtarisht targat e automjeteve RKS të lëshuara nga Kosova. Ky vendim është një hap pozitiv në zbatimin e marrëveshjes për rrugën e normalizimit, si dhe në angazhimet e kaluara të dialogut lidhur me lirinë e lëvizjes”, ka thënë Stano.

Ai potencoi se nga ky hap i Serbisë mund të përfitojnë të gjithë qytetarët e Ballkanit Perëndimor.

“Kjo tregon se është e mundur të arrihet progres në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ajo përbën gjithashtu një hap në drejtimin e duhur drejt një integrimi më të mirë rajonal dhe evropian të Ballkanit Perëndimor, nga i cili në fund përfitojnë qytetarët e rajonit. Ky vendim i hap rrugën heqjes së plotë të regjimit të afisheve. BE-ja tani pret që Kosova të përgjigjet në mënyrë të ngjashme”, ka thënë zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano. 

(Kosova Sot Online)