Kusari-Lila: Do të respektojmë vendimin e Kushtetueses për Ligjin e Pagave, por na është prekur thelbi që synuam

  • S.A /
  • 27 December 2023 - 12:13
Kusari-Lila: Do të respektojmë vendimin e Kushtetueses për Ligjin e Pagave, por na është prekur thelbi që synuam

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, tha se do ta respektojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Ligjin e Pagave dhe se do t’i zbatojnë plotësim-ndryshimet e rekomanduara për të mos u rrëzuar ligji. Ajo tha se Ligji për Paga ka pasë disa objektiva e që njëri prej thelbësorëve të synuar është prekur nga ky vendim i Kushtetueses, transmeton "Kosova Sot Online ".

Kusari-Lila tha se kishin në qëllim nivelizimin e shumës së pagës në raport me përgjegjësitë e secilit shërbyes dhe të ulet proporcioni i madh në mes të pagës më të ulët dhe më të lartë.

“Një prej problemeve përmbajtjesore ka përfshirë edhe uljen e pagave të zyrtarëve që në mënyrë disporpocionale kanë qenë shumë më të larta sesa ndoshta krerët e shtetit. Ende s’e kemi parë aktgjykimin e plotë, por duket se këto nene të cilat e kanë përfshirë nivelizimin, gjegjësisht uljen e pagave të zyrtarëve që kanë qenë krerë të agjencive të pavarura apo në institucione të tjera, në këtë rast edhe vetë gjykatësit, Gjykata Kushtetuese ka dhënë mendimin e vet që Kuvendi t’i rishikojë këto dhe niveli i pagave të mbetet i njëjtë. Pra, s’e kemi aktgjykimin e plotë, por e di se ato propozime duhet t’i bëjë Kuvendi në një periudhë kohore. Megjithatë, në esencë është prekur thelbi apo objektivi që është synuar me Ligjin e Pagave, natyrisht që Kuvendi do të reflektojë në plotësim-ndryshimin e ligjit, por prapë po e humb elementin që në sektorin publik të mos ketë diferencë aq të madhe të pagës më të ulët dhe asaj më të lartë”.

Kusari-Lila në konferencën e sotme për media tha se e respektojnë vendimin, por se s’mund të komentojë në detaje meqë s’ka dalë aktgjykimi i plotë.

(Kosova Sot Online )