Vrau e groposi 31-vjeçarin në Krujë, arrestohet në Itali Agron Tufa

  • S.A /
  • 06 January 2024 - 12:34
Vrau e groposi 31-vjeçarin në Krujë, arrestohet në Itali Agron Tufa

Është arrestuar në Itali Agron Tufa, i kërkuar ndërkombëtarisht për vrasjen e 31-vjeçarit dhe groposjen e tij.

Në vitin 2021, Gjykata e Krujës e ka dënuar këtë shtetas, me 30 vjet burgim, për vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim dhe për armëmbajtje pa leje, transmeton "Kosova Sot Online ".

“Në vijim të punës gjurmuese me qëllim sigurimin e informacioneve për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në kërkim ndërkombëtar për vepra të rënda penale, Drejtoria për Krimet e Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit siguroi informacion në lidhje me vendndodhjen e saktë në Bari të Italisë, të shtetasit në kërkim ndërkombëtar Agron Tufa, i dënuar nga Gjykata e Krujës, me 30 vjet burgim”, njofton policia shqiptare.

Shtetasi Agron Tufa, në bashkëpunim me shtetasin H. R., ka vrarë me armë zjarri në Nikël, Krujë, shtetasin K. H., dhe më pas e kanë djegur trupin e tij.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.

(Kosova sot Online )