Krasniqi kërkon hetim dhe përgjegjësi për shpërthimin në Trepçë: Ka mundur të përfundoj me fatalitet

  • E.K /
  • 18 January 2024 - 10:51
Krasniqi kërkon hetim dhe përgjegjësi për shpërthimin në Trepçë: Ka mundur të përfundoj me fatalitet

13 minatorë të Minierës së Stantërgut janë lënduar dje si pasojë e rrjedhjes së acidit sulfuric, përcjell “Kosova Sot Online”.

Kryetari I PDK-së, Memli Krasniqi, ka reaguar duke thënë se duhet që të zhvillohet një hetim i plotë dhe i pavarur për të identifikuar shkaqet dhe përgjegjësitë në këtë ngjarje.

Krasniqi ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet dëgjoj kërkesat e minatorëve dhe duhet të ndërmarr veprime urgjente dhe konkrete për të garantuar kushte më të mira dhe siguri në vendin e punës.

Postimi i plotë:

Ngjarja e rëndë në minierën e Stantërgut, ku 12 punëtorë të Trepçës kanë marrë lëndime, është shqetësuese dhe kërkon përgjegjësi.

Është e domosdoshme të zhvillohet një hetim i plotë dhe i pavarur për të identifikuar shkaqet dhe përgjegjësitë në këtë ngjarje e cila ka mundur të përfundoj me fatalitet.

Punëtorëve të lënduar ju dëshiroj shërim të shpejtë dhe mbështetje të plotë në këtë moment të vështirë për ta.

Përkundër kërkesave të vazhdueshme ndaj Qeverisë aktuale, minatorët e Trepçës kanë përjetuar mungesën e trajtimit adekuat.

Qeveria e Kosovës duhet të dëgjoj kërkesat e minatorëve dhe duhet të ndërmarr veprime urgjente dhe konkrete për të garantuar kushte më të mira dhe siguri në vendin e punës.

(Kosova Sot Online)