Ende mister përplasja e avionit privat të aleatit të Putinit

  • A.P /
  • 23 January 2024 - 19:05
Ende mister përplasja e avionit privat të aleatit të Putinit

Një biznesmen rus që njëherë e një kohë është vlerësuar nga guvernatori i Vladimir Putinit për punën e tij për ekonominë, është vrarë në një aksident me avion privat në një pjesë të largët të Afganistanit bashkë me gruan e tij, mes misterit që rrethon shkakun dhe raporteve që ka pasur të mbijetuar, transmeton gazeta "Kosova Sot Online".

Burimet ruse të sigurisë thanë se Anatoly Evsyukov, 65 vjeç, ishte në mesin e gjashtë personave në bordin e aeroplanit Dassault Falcon 10 kur ai u zhduk nga radari rreth orës 19:00, sipas orës lokale të shtunën, para se të rrëzohej në qarkun Kuf Ab të provincës Badakhshan, në verilindje të Afganistanit, sipas kanalit Telegram Agentstvo.

Mediat shtetërore dhe të pavarura ruse treguan pamjet që pretendonin se tregonin vendin e rrëzimit në të cilin shihet tymi që ngrihet në ajër. Evsyukov ishte nga Volgodonsku i rajonit të Rostovit, ku kishte hapur qendra tregtare dhe në vitin 2014, ai kishte marrë një çmim nga guvernatori rajonal i emëruar nga Putini për punën e tij në zhvillimin e ekonomisë lokale. Ai zotëronte tre tregje në Volgodonsk dhe sipas mediave lokale, kishte urdhëruar gjithashtu ndërtimin e një kompleksi tregtare 48,000 metra katrorë.

Gazeta Izvestia e kontrolluar nga Kremlini raportoi se gruaja e Evsyukov, Anna, ishte gjithashtu në bord dhe ata po fluturonin për në Rusi në një evakuim mjekësor nga Tajlanda ku ajo ishte sëmurë rëndë. Të dy thuhet se kanë humbur jetën në aksident.

Megjithatë, katër persona arritën të mbijetojnë, sipas Agjencisë Federale të Transportit Ajror të Rusisë, duke cituar raportet nga ambasada ruse në Afganistan.

"Shërbimi lokal i kërkim-shpëtimit tokësor gjeti avionin Falcon 10, nga gjashtë persona në bordin e avionit, paraprakisht - katër janë gjallë (ata kanë lëndime të ndryshme), fati i dy personave është duke u sqaruar", thuhet në deklaratë.

Njëri ishte punonjësi mjekësor Igor Syrovkin, 26 vjeç, i cili kishte arritur në një fshat aty pranë, ku për shkak të pengesës gjuhësore, ai kërkoi ndihmë duke përdorur gjeste, raportoi kanali Telegram Sirena. Ai u dërgua te përfaqësuesit e talebanëve, nga ku ai telefonoi të afërmit e tij.

(Kosova Sot Online)