Hoti udhëton sot në ShBA: Do të takohem me zyrtarë amerikanë për të diskutuar për zhvillimet që lidhen me Kosovën

  • E.K /
  • 30 January 2024 - 10:40
Hoti udhëton sot në ShBA: Do të takohem me zyrtarë amerikanë për të diskutuar për zhvillimet që lidhen me Kosovën

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka njoftuar se sot do të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përcjell “Kosova Sot Online”.

Hoti ka thënë se do të marrë pjesë atje në “Forumin e Sigurisë” dhe “Lutjet e Mëngjesit”. Përveç këtyre aktiviteteve, ka deklaruar se do të takohet edhe me zyrtarë amerikanë për të folur lidhur me çështjet dhe zhvillimet që lidhen me Kosovën.

Postimi i plotë:

Sot udhëtoj për në ShBA, i ftuar për të marrë pjesë në dy aktivitete të rëndësishme: “Forumi i Sigurisë” dhe “Lutjeve të Mëngjesit”.

“Forumi i Sigurisë” është aktivitet i rregullt që organizohet nga dy anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan. Tema e këtij viti është “Ndikimi negativ kinez dhe rus në Ballkan”. Forumi është mundësi e mirë për prezantim të Kosovës si vend që kontribuon në sigurinë rajonale dhe renditet krahë aleatëve euro-atlantik në përballje me sfidat e sigurisë në Ballkan.

“Lutjet e Mëngjesit” në Kongresin Amerikan janë tradicionale, ku marrin pjesë zyrtarë nga shumë vende të botës, me qëllim ndërtimin dhe fuqizimin e miqësive mes përfaqësuesve të qytetarëve nga vende të ndryshme për të mirën e përbashkët.

Krahas këtyre aktiviteteve, do të takohem me zyrtarë amerikanë për të diskutuar çështjet dhe zhvillimet aktuale që lidhen me Kosovën.

Zoti e bekoftë miqësinë e popullit të Kosovës me popullin amerikan!

(Kosova Sot Online)