Protesta e fermerëve në Francë po vazhdon

  • A.P /
  • 30 January 2024 - 15:52
Protesta e fermerëve në Francë po vazhdon

Fermerët synojnë të ushtrojnë trysni ndaj qeverisë që ajo t’i mbështesë të sigurojnë jetesën përmes punës së tyre, t’i ndihmojë për të përballuar inflacionin e lartë dhe të konkurojnë në një treg ku produktet e importit janë më të lira, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ankesat e tyre kanë nxitur qeverinë të heqë dorë nga planet për të reduktuar gradualisht subvencionet për naftën për bujqësinë dhe të premtojë se do të lehtësojë rregulloret për mbrojtjen e mjedisit.

“Nisa të drejtoj fermën e familjes sime në korrik. Nga njëra anë kredia dhe nga ana tjetër kostot e prodhimit, na e kanë vënë litarin në fyt. Sido që të vejë puna, jemi të vendosur që t’i shkojmë kësaj proteste deri në fund. Nëse protesta duhet të zgjasë një muaj të tërë, atëherë do protestojmë një muaj”, tha fermeri Jean Baptiste.

Protestat pasojnë veprime të ngjashme në vende të tjera evropiane, përfshirë Gjermaninë dhe Poloninë, përpara zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, në qershor, në të cilat e djathta ekstreme, që po gëzon rritje të mbështetjes fermerët, po shënon fitore. Qeveria franceze pritet që në takim të nivelit të lartë në Bruksel të enjten, të nxisë vendet e tjera anëtare të lehtëstojnë rregulloret mbi shfrytëzimin e tokave djerrë. Presidenti Emmanuel Maccron pritet të diskutojnë mbi këtë çështje me udhëheqësit e tjerë europianë.

“Në nivel evropian, presim njoftime veçanërisht për marrëveshjet e tregtisë së lirë, të cilat për ne janë një kancer i vërtetë – nuk kam frikë ta përdor këtë fjalë. Kjo marrëveshje po shkakton pjesën më të madhe të vështirësive tona. Ne nuk mund të ecim përpara duke thënë: “Ne do të importojmë mish nga Kili apo Zelanda e Re”, të cilat nuk janë në përputhje me normat tona, kjo është thjesht konkurrencë e pandershme, kjo është e papranueshme”, tha fermeri Patrick Meyer.

Këtë të martë qeveria franceze ka paralajmëruar se ministri i Bujqësisë, Marc Fesneau do të njoftojë një paketë masash të reja, ndërsa bllokada e fermerëve vazhdon.

(Kosova Sot Online)