Pal Lekaj dënohet me 3 vjet e tetë muaj burg për 53 milionëshin

  • E.K /
  • 31 January 2024 - 11:14
Pal Lekaj dënohet me 3 vjet e tetë muaj burg për 53 milionëshin

Ish-Ministri i Infrastrukturës, njëherit deputet i Kuvendit të Kosovës, Pal Lekaj është dënuar me 3 vjet e tetë muaj burg efektiv në lidhje me pagesën prej 53 milionë eurove që Qeveria e Kosovës i kishte paguar “Bechtel-Enkës” për zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve në autostradën ‘Arbën Xhaferi’, transmeton "Kosova Sot Online".

Lekaj është dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe dëmtim me dashje të buxhetit të shtetit.

Ish-ministri është dënuar edhe me dënim plotësues, që ia ndalon për 3 vjet e gjashtë muaj ushtrimin e funksionit publik në administratë publike.

Bashkë me të janë dënuar edhe Nebih Shatri me një vit e tetë muaj, Besim Tahiri me një vit e tetë muaj burgim dhe Eset Berisha me 3 vjet e tre muaj.

(Kosova Sot Online)