Bislimi: BE do vetëm që mos t’i jepet hapësira Serbisë që të krijojë tensione

  • A.P /
  • 31 January 2024 - 16:17
Bislimi: BE do vetëm që mos t’i jepet hapësira Serbisë që të krijojë tensione

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tha se veprimet e tyre janë konfirmuar se kanë qenë të drejta në raport me disa tranzicione që u bënë si çështja e targave, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Ai thotë se edhe në tranzicionin e radhës me rregulloren e re të BQK-së, që përjashton përdorimin e valutave tjera pos euros, Kosova qëndron me Bashkimin Europian dhe është për një kalim pa tensione.

“Valuta e Republikës së Kosovës është euro. Ne kemi monedhën më të fuqishme në botë që e përdorim. BE është në anën e euros, jo të dinarit. Të jeni të bindur që ne jemi bashkë me Bashkimin Europian, Bashkimi Europian është bashkë me ne në këtë rrugëtim. Por, ata janë të interesuar që ky tranzicion të kalojë sa më lehtë dhe ne jemi të interesuar që të kalojë sa më lehtë. Nuk jemi të interesuar që asnjë qytetar të hasë në vështirësi të panevojshme gjatë kësaj faze”, tha ai në konferencën e sotme për media.

Bislimi tha se BE do vetëm që mos t’i jepet hapësira Serbisë që të krijojë tensione dhe të zbatohen vendimet e institucioneve të Kosovës.

“Zgjidhja e këtyre problemeve do të thotë nga kalimi i ilegalitetit në legalitet, nga mosrespektimi i Kushtetutës në respektim të saj. Në këtë kontekst Bashkimi Europian nuk është duke i kontestuar vendimet, ata janë duke diskutuar me neve modalitetet e zbatimit.  Gjatë kësaj ecje të përbashkët me BE-në, ne po e shohim veten të konfirmuar që qëndrimet tona kanë qenë principiere dhe të drejta dhe jo vetëm to, por edhe modalitetet e zbatimit. Qëllimet e BE-së janë të mira, ata duan që vendimet tona të zbatohen, por pa krijuar tensione që nënkupton jo pa shkaktuar tensione, por pa i krijuar hapësirë Qeverisë së Serbisë që të krijojë artificialisht tensione në Kosovë”.

Për mundësinë e informimit paraprak, Bislimi tha se nuk “po përdorim monedhë të re, rrjedhimisht nuk na vyejnë masat e edukimit qysh ka ndodhur kur shtetet e kanë futur euron”.

(Kosova Sot Online)