Kryeziu: Nëse dikush ka informacione për përshkallëzim duhet që ta ndajë me institucione

  • A.P /
  • 02 February 2024 - 19:40
Kryeziu: Nëse dikush ka informacione për përshkallëzim duhet që ta ndajë me institucione

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se të gjithë ata që kanë informacione për përshkallëzim të situatës në vend, duhet t’i ndajnë ato me institucionet e sigurisëtransmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Këtë deklarim Kryeziu e ka bërë pasi ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka paralajmëruar se “mund të ketë pasoja që nuk janë menduar plotësisht“, teksa ka folur në lidhje me vendimin e BQK-së për dinarin e Serbisë.

“Nëse dikush ka informacione apo ndonjë indikacion për përshkallëzim, duhet që ta ndajë me institucionet e sigurisë”, ka deklaruar zëdhënësi i Qeverisë, nëpërmjet një përgjigjeje të dhënë.

Kryeziu tutje ka thënë se qeveria dhe politika nuk përzihen në vendimet e Bankës Qendrore të Kosovës, sepse ky institucion është i pavarur dhe askush nga politika nuk mund të përzihet, pasi, sipas tij, kjo do t’i humbte Kosovës karakterin e shtetit demokratik.

“Jemi të interesuar dhe të angazhuar që gjithçka të shkojë mirë, qetë dhe në siguri. Çdo problem i imagjinuar apo real do ta adresojmë me shpejtësi. Do të mbajmë komunikim të rregullt me partnerë tanë. Do të ketë komunikim të vazhdueshëm me qytetarët nga radhët e komunitetet joshumicë serb”, ka theksuar ai.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, në një konferencë për media në Prishtinë të enjten ka thënë se ka ndarë shqetësimet e tij me kryeministrin Albin Kurti në lidhje me vendimin e BQK-së për dinarin e Serbisë.

Hovenier është shprehur se SHBA-ja është e shqetësuar se rregullorja, e cila i jep fund përdorimit të dinarit serb në Kosovë, mund të nxisë tensione etnike në vend.

“Mendojmë që kjo çështje meriton konsideratë më të kujdesshme dhe diskutim me përfaqësuesit e BE-së në dialog. Jemi të shqetësuar nëse ka gjasa potenciale që gjendja të eskalojë në tension etnik në veri dhe të shndërrohet në problem për jetën e përditshme të serbëve”, ka thënë ai.

(Kosova Sot Online)