Policia arreston 46-vjeçarin në Vlorë, i kanosi me jetë gruan dhe vajzat

  • E.K /
  • 05 February 2024 - 15:51
Policia arreston 46-vjeçarin në Vlorë, i kanosi me jetë gruan dhe vajzat

Policia ka njoftuar se një 46-vjeçar në Vlorë kanosi me jetë bashkëshorten dhe dy vajzat e tyre, përcjell “Kosova Sot Online”.

Me mbërritjen e policisë, personi në fjalë ka tentuar të largohet me motoçikletë, por u arrestua.

Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi edhe çiften që posedonte 46-vjeçari.

“Pas marrjes së njoftimit, mbrëmjen e sotme, se një shtetas po kanoste për jetën, me armë gjahu çifte, bashkëshorten e tij dhe dy vajzat e tyre, në banesë, në lagjen “15 Tetori”, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponjat” dhe të Komisariatit të Policisë Vlorë menjëherë kanë organizuar punën për parandalimin e ngjarjes së mundshme kriminale, dokumentimin e plotë ligjor të rastit dhe vënien e autorit përpara përgjegjësisë penale.

Si rezultat i veprimeve të shpejta nga Policia, është kapur në flagrancë në tentativë për t’u larguar me një motoçikletë, shtetasi Sh. Xh., 46 vjeç.

Gjithashtu, janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, arma e gjahut çifte me të cilën 46-vjeçari kanosi familjarët, si dhe motoçikleta me të cilën tentoi të largohej”, njofton policia.

Ndërkohë, vijon puna e grupit hetimor, për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

(Kosova Sot Online)