Paralajmërohen disa projekte infrastrukturore në vlera milionëshe

  • A.P /
  • 07 February 2024 - 16:07
Paralajmërohen disa projekte infrastrukturore në vlera milionëshe

Ministria e Infrastrukturës ka publikuar në faqen zyrtare të e-prokurimit disa njoftime paraprake lidhur me disa projekte infrastrukturore në vlera milionëshe, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Zgjerimi dhe rehabilitimi i rrugës Magjistrale Prishtinë-Pejë, segmenti Dollc – Zahaq, Autostrada Prishtinë-Gjilan-Konqul e ndërtimi i urës në Veternik mbi Rrugën A, janë disa prej tyre. Sipas Ligjit, njoftime të tilla bëhen kur autoriteti kontraktues ka për qëllim dhënien, gjatë periudhës së ardhshme 12 mujore të, një ose më shumë kontratave që kanë një vlerë të parashikuar prej 500 mijë euro. Por, se kur saktësisht do të fillojnë procedurat, s’dihet ende.

Me afrimin e zgjedhjeve, nëpër ministri kanë filluar t’i përvjelin mëngët e t’i përvishen punës. Njëjtë ka ndodhur edhe me Ministrinë e Infrastrukturës, që udhëhiqet nga Liburn Aliu.

Para disa ditësh, kjo ministri ka publikuar njoftimin paraprak lidhur me ndërtimin e urës në Veternik mbi Rrugën A. Ky projekt parashihet të kushtojë 8 milionë euro.

“Ndërtimi i urës (Mbi kalimi dhe Nën kalimi për vetura dhe automjete) në Veternik mbi Rrugën A”, është përshkrimi i kontratës, por se kur do të fillojë procedura për këtë tender, nuk dihet meqë në njoftim nuk është saktësuar.

Por, detaje për këtë projekt kanë dhënë nga Ministria e Infrastrukturës për Gazetën Express.

Nga MMPHI thonë se procedurat për këtë projekt të fillojnë në muajin prill ose maj, varësisht se kur pranohet projekti zbatues përfundimtar nga Komuna e Prishtinës.

“Në takimin e fund i cili është mbajtur në fund të vitit të kaluar, zyrtarët e Komunës së Prishtinës na kanë informuar se janë në fazën përfundimtare të hartimit të projektit zbatues. Procedurat e prokurimit do të fillojnë pas pranimit të projektit zbatues nga Komuna e Prishtinës, bazuar në diskutimet që MMPHI-ja ka pasur me zyrtarët e Komunës së Prishtinës, në planifikimin e planit të prokurimit kemi paraparë që procedurat për këtë projekt të fillojnë në muajin prill ose maj, varësisht se kur pranohet projekti zbatues përfundimtar nga Komuna e Prishtinës”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Për kohëzgjatjen e punimeve, nga ministria nuk kanë dhënë ndonjë afat kohor.

“Sa i përket kohëzgjatjes së ndërtimit, kjo varet nga plani dinamik i cili do të përcaktohet me rastin e pregaditjes së specifikacioneve teknike për inicim të procedurave të prokurimit. Fillimi i ndërtimit varet nga data e inicimit të procedurave të prokurimit dhe kohëzgjatja e procedurave deri te nënshkrimi i kontratës”, kanë deklaruar nga ministria.

Njoftime të tilla kanë vazhduar të publikohen edhe gjatë kësaj jave. Në e-prokurim, është publikuar dje njoftimi paraprak për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrugës Magjistrale M9 Prishtinë-Pejë, segmenti Dollc – Zahaq. Bazuar në njoftimin e publikuar, vlera e parashikuar e kontratës është 47 milionë euro.

Aty figuron edhe një njoftim për Autostradën Prishtinë-Gjilan-Konqul, me vlerë të parashikuar prej 60 milionë euro, si dhe një për ndërtimin e mbikalimeve dhe nënkalimeve në rrugët nacionale dhe regjionale, me vlerë 6 milionë.

Në asnjë prej këtyre dokumenteve, nuk tregohet se kur do të fillojnë procedurat për shpalljen e tenderëve. Sipas Ligjit për Prokurorim Publik, njoftimi paraprak bëhet kur autoriteti kontraktues ka për qëllim dhënien, gjatë periudhës së ardhshme 12 mujore të, një ose më shumë kontratave që kanë një vlerë të parashikuar prej 500 mijë euro

“Kur një autoritet kontraktues ka për qëllim dhënien, gjatë periudhës së ardhshme 12 mujore të, një ose më shumë kontratave të furnizimit, të shërbimeve apo të punëve, që vetëm ose bashkë, kanë një vlerë të parashikuar prej pesë qind mijë (500.000) Euro, lidhur me secilën kategori te përmendur autoriteti kontraktues do të përgatisë njoftimin paraprak që përcakton:

1.1. në raste të kontratave të pritura për furnizim, prokurimin e përgjithshëm sipas rajonit të prodhimit nga i cili autoriteti kontraktues synon që të prokurojë brenda një periudhe të tillë dymbëdhjetë (12) mujore;

1.2. në raste të kontratave të pritura të shërbimeve, vlerën e parashikuar të secilës kategori të shërbimeve të cilën autoriteti kontraktues synon që ta prokurojë brenda një periudhe të tillë dymbëdhjetë (12) mujore; dhe

1.3. në raste të kontratave të pritura të punëve, karakteristikat thelbësore të kontratave të punëve të cilat autoriteti kontraktues synon që ti jep brenda një periudhe të tillë dymbëdhjetë (12) mujore”, parashihet me Nenin 39 të këtij Ligji.

Gazeta Express ka pyetur zëvendësministrin Hysen Durmishi lidhur me këto njoftime dhe kohëzgjatjen e punimeve nëpër këto projekte, por i njëjti nuk është përgjigjur.

Me disa afate për përfundimin e punimeve kishte dalë kryeministri Albin Kurti, në një mbledhje të Qeverisë në fund të janarit. Ai kishte treguar projektet infrastrukturore që pritet të finalizohen sivjet dhe ato që pritet të nisin.

Kurti kishte deklaruar se Autostrada Prishtinë-Gjilan dhe rrugët Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Mitrovicë, Dollc-Gjakovë, e Drenas-Skenderaj, do të përfundojnë këtë vit. Për Autostradën Prishtinë-Gjilan, Kurti kishte premtuar se do të finalizohet në dhjetor të vitit të kaluar, por kjo s’kishte ndodhur.

Ndërkohë, ka thënë se do të fillojë puna në autostradën Bresalc-Dheu i Bardh, në rrugën Kijevë-Zahaq, në rrugën nga autostrada “Ibrahim Rugova” deri te hyrja në tunelin e rrugës Prizren-Tetovë, dhe në rrugën Drenas-Kroni i Mbretit.

“Sa i përket  infrastrukturës rrugore, vitin 2024 do të jetë vit i përfundimit të disa projekteve të vjetra dhe fillimi i disa të reja. Autostrada Prishtinë-Gjilan dhe rrugët Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Mitrovicë, Dollc-Gjakovë, e Drenas-Skenderaj pritet të finalizohen sivjet. Paralelisht, do të fillojë puna në  autostradën Bresalc-Dheu i Bardh, në rrugën Kijevë-Zahaq, në rrugën nga autostrada “Ibrahim Rugova” deri te hyrja në tunelin e rrugës Prizren-Tetovë, dhe në rrugën Drenas-Kroni i Mbretit”, ka thënë Kurti.

Ai kishte folur edhe për projektet infrastrukturore hekurudhore.

“Kurse sa i përket infrastrukturës hekurudhore, këtë vit pritet që të bëhet hartimi i projekteve kryesore të linjave hekurudhore Prishtinë-Pejë dhe Klinë-Prizren, si dhe përfundimi i studimit të fizibilitetit dhe projektit ideor të linjës hekurudhore Prishtinë-Durrës”, ka deklaruar Kurti.

(Kosova Sot Online)