Shqipëria gati për vizitën e sekretarit Blinken

  • A.P /
  • 14 February 2024 - 16:00
Shqipëria gati për vizitën e sekretarit Blinken

Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, i ka filluar përgatitjet për ta mirëpritur sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili të enjten e viziton shtetin shqiptar për herë të parë, transmeton gazeta “Kosova Sot Online”.

Vizita e zyrtarit të lartë amerikan do të përcillet me masa të larta sigurie. Policia shqiptare ka përgatitur planin e masave, sipas të cilit prej, orës 19:30 të mërkurës nis ndalimi i parkimit të automjeteve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe disa prej rrugëve që lidhen me këtë bulevard.

Ndërsa, qarkullimi i automjeteve nga Rinasi, ku ndodhet Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës rreth 18 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit, drejt Tiranës do të jetë i ndaluar prej mëngjesit të së enjtes deri në përfundim të vizitës së Blinken dikur pasdite.

Zyrtari i lartë amerikan pritet të mbërrijë në aeroport në Rinas rreth orës 11:00 të enjten.

Në dy anët e Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” janë vendosur flamuj shqiptarë dhe amerikanë. Një banderolë me mbishkrimin: “Mirë se vjen, zotëri Blinken” është vendosur në fasadën e ndërtesës së Universitetit Politeknik të Tiranës në sheshin pranë Presidencës dhe Kryeministrisë.

 

Vizita njëditore e kryediplomatit amerikan në Tiranë do të përqendrohet në të ardhmen e Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor.

Kjo u nënvizua nga zëvendësndihmës sekretarja amerikane e Shtetit për Evropë dhe Euroazinë, Yuri Kim, si dhe zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller.

“Ne duam të vëmë në pah bashkëpunimin e mirë që kemi me Shqipërinë, ne duam t’i falënderojmë ata që kanë qenë nikoqirët kryesorë për afganët në nevojë dhe për vazhdimin e traditës shqiptare për t’i strehuar ata që janë në rrezik”, tha Kim, duke iu referuar pranimit të afër 2.400 afganëve që ikën nga shteti i tyre, pas rikthimit të talibanëve në pushtet verën e vitit 2021.

Ndërsa Miller e vlerësoi qëndrimin që mbajti Shqipëria si kryesuese e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe si kryesuese e OSBE-së për vitin 2020.

“Shqipëria ishte udhëheqëse parimore gjatë mandatit të saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe si kryetare e OSBE-së për vitin 2020, dhe është një partner kyç për stabilitetin dhe përparimin në Ballkanin Perëndimor”, tha Miller.

Agjenda e vizitës së Blinken ende nuk është bërë zyrtare, por nga Departamenti Amerikan i Shtetit është bërë e ditur se do të ketë takime me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama, me të cilin do të mbajë edhe konferencë për media.


(Kosova Sot Online)